"Nuk duhet të kemi frikë se na mërzitet Erion Veliaj", Bardhi: Policia dhe Inspektoriati të tërhiqen nga "5 Maji"

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së i bëri thirrje policisë dhe Inspektoriatit të Territorit të ndërpresin procedurat dhe të tërhiqen nga procesi i shembjes së banesave në zonën e "5 Majit".

Gazment Bardhi  tha se është e domosdoshme të bëjnë dëgjesë me banorët dhe bashkinë.

Sipas tij, kjo është një çështje që lidhet me të drejtat e njeriut dhe si e tillë duhet të përbëjë shqetësim edhe për socialistët.

Bardhi: Të mos kalohet vetëm me një fjali që kemi kërkuar informacione por t’i bëjmë thirrje në mënyrë të përbashkët, pa marrë meritën njëra apo tjetra palë, të gjithë bashkë t’i bëjmë thirrje institucioneve të ndërpresin procedurat, policia të tërhiqet, inspektoriati i territorit të tërhiqet, të bëjmë seancë dëgjimore me banorët dhe bashkinë e tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira dhe të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme për qytetarët.

Bardhi kërkoi që Komisioni i Ligjeve të mblidhet sërish për të shqyrtuar informacionin që do të vijë për të dalë në një zgjidhje  që merr në konsideratë interesin e qytetarëve.

Bardhi: Kjo na nderon ne të gjithëve, nuk ka çështje më të rëndësishme se sa kjo. Aktin normativ unë e di që ju do ta votoni, prandaj mos bëni sikur po lodheni këtu për qytetarët. Kjo çështje që po diskutojme ne ka natyrë urgjente. Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim. Kjo çështje nuk ka ndasi politike.

Nuk duhet të kemi frikë se na mërzitet Erion Veliaj, po t’i bëjmë thirrje policisë të tërhiqet në këtë moment. Ka më shumë policë atje, nuk lejohen gazetarët të kalojnë për të monitoruar situatën çfarë po bëhet, nuk lejohen banorët dhe të tjerë të asaj zone të kalojnë. Ka më shumë se dy mijë policë. Ky është terror. Dhe është detyra jonë të bëhemi zëri i atyre qytetarëve.

Mes përplasjeve e kundërshtive, të mërkurën fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit shembën 5 banesa.

Efektivët nxorën forcërisht nga shtëpitë banorët që nuk donin të braktisnin të vetmen pronë që kishin.

Fatit të keq nuk i shpëtuan punonjësit e mediave dhe as ata që posedonin dokument pronësie.