Logopedistja Gentiana Sinaj: Ja pse ndodh vonesa gjuhësore tek fëmijët me zhvillim normal
Pjesa e dytë e emisionit të pasdites “Jeto me orën” në RTV Ora ditën e sotme i’u kushtua fëmijëve që ndeshen me problematika dhe çregullime në të folur nga mosha 0-3 vjeç. Logopedistja, Gentjana Sinaj u shpreh në studio se mosha në të cilën vihet re më shumë si problematikë çrregullimi gjuhësor tek fëmijët është mosha nga 0-3 vjeç.
“Në përgjithësi vonesat gjuhësore quhen çrregullime gjuhësore. Këto çrregullime mund të prekin nivele të ndryshme. Zhvillimi i fëmijëve është i ndryshëm tek fëmijët. Nëse një fëmijë deri në 12 muajsh nuk belbëzon me tinguj dhe rrokje, në këtë fazë fillon faza e shqetësimit të prindërve. Dhe nëse bën 18 muaj dhe sërish nuk ka shenja duhet të shqetësohemi, ndërsa kur bën 2 vjeç, domosdoshmërisht duhet të ketë të paktën 50 fjalë në fjalorin e tij. Pastaj, kur bën 3 vjeç duhet me patjetër të flas, nëse nuk e bën atëherë problem është serioz, dhe në këtë rast aspak nuk duhet të anashkalohet. Në këtë rast problem është më i vështirë për t’u zgjidhur”, u shpreh Sinaj.
Gjatë diskutimit në studio Sinaj u shpreh se përgjegjës janë edhe mjekët e familjes për të pasur nën kontroll këtë target grup fëmijësh, pasi sipas saj nuk duhet të vizitohet fëmija vetëm për probleme fizike, por edhe gjuhësor.
“Fillon nga mjeku i familjes, nuk duhet të shoh vetëm parametrat fizik, por edhe këto gjuhësor. Jo çdo prindër mund t’a ketë informacionin, shkallën e arsimimit për t’a dalluar që në fillim. Ndodh neglizhenca pa dashje, pasi prindërit shumicën e kohës i lejnë fëmijët e tyre në çerdhe apo në kujdestari, etj”, u shpreh ndër të tjera Sinaj.
Në fund ajo përfundoi duke përmendur disa këshilla që çdo prind duhet t’i aplikoj me fëmijët e tyre.
“Duhet t’u këndojmë, t’u flasim sa më shumë. Kjo ndikon në përqendrimin dhe aktivizimin e tyre. Gjatë aktiviteteve ata reagojnë shumë, kjo mund të jetë një mënyrë për të kuptuar çregullimet dhe problemet e tyre gjuhësore. Gjithashtu është e rëndësishme t’u flasësh me gjuhë të thjeshtë dhe fjali të shkurtra, që mos t’u humbas vëmendja, etj. Ndikon shumë tek fëmijët mimika e fytyrës, apo qëndrimi trupor i prindërve”, u shpreh Sinaj.
