I dënuar për grabitje dhe i dëbuar, shqiptari kthehet në Itali dhe arrestohet

Një 31-vjeçar i futur në mënyrë ilegale në Itali është arrestuar nga policia.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme (17 janar) në Potenza Picena ku karabinierët e Kompanisë së Civitanova e kishin ndaluar për kontroll. 

Nga hetimet e kryera rezultoi se i riu, dhjetë vite më parë, kishte marrë pjesë në një grabitje të kryer në Monte San Giusto. 

I riu në atë kohë u arrestua menjëherë dhe u dënua me tre vjet e katër muaj.

Ai kreu pothuajse të gjithë dënimin, më pas në mars 2017, Zyra e Mbikëqyrjes së Ankonës vendosi ndaj tij masën e sigurisë dëbim si sanksion alternativ ndaj paraburgimit. 

Më pas u kthye në Shqipëri dhe që nga ai moment nuk mund të kthehej në Itali për 10 vjet.

Kjo nuk ndodhi dhe ditën e djeshme i janë vënë prangat dhe janë hapur dyert e burgut të Fermos. 

Mëngjesin e sotëm 31-vjeçari është sjellë në gjykatën e Maceratës për gjykim të drejtpërdrejtë. 

I mbrojtur nga avokatja M. M, sot i riu ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u përgjigjur. 

Gjyqtari ka vërtetuar arrestin, më pas për masën ka refuzuar kërkesën e prokurorit (kishte kërkuar arrest shtëpie) dhe e la të lirë 31-vjeçarin. 

Për gjyqtarin nuk do të kishte nevoja paraprake pasi i vetmi precedent ndaj shqiptarit (grabitja) daton rreth dhjetë vjet më parë. 

Seanca u shty për 2 shkurtin e ardhshëm.