Laboratori i kanabisit në Shkodër/ Koordinatori i OSHEE: S'kam përgjegjësi të kontrolloj për shtëpi bari
Koordinatori i zonës së shpërndarjes OSHEE, Ramir Haderi, i cili u procedua penalisht për shpërdorim detyre, pasi nuk kishte zbuluar lidhjet e paligjshme të energjisë që furnizonin shtëpinë e barit që u gjet në Bërdicë të Shkodrës, cilëson të paligshëm procedimin penal, pasi sipas tij, ai nuk ka asnjë funksion ligjor në terren për të kontrolluar shtëpitë e barit.
Duke treguar kontratën e punës, Haderi kërkon të drejtën e tij dhe thotë se nuk ka detyrim ligjor evidentimin e shkeljeve në terren. Ai thotë se kjo është përgjegjësi e personave të tjerë, ndërsa vetë ai është përgjegjës për koordinimin e zonës nga zyra.
Ndër të tjera Haderi thekson se procedimi penal dhe arrestimi i disa punonjësve të OSHEE është bërë me të padrejtë, duke bërë thirrje që autorët përgjegjës që nanë lidhje me shtëpinë e barit të arrestohen.
Ramir Haderi: "Nuk e kuptoj këtë urdhër nga Drejtori për arrestim, ndalim për punonjësit e OSHE-së, kur në rastin në fjalë nuk ka asnjë të ndaluar nga punonjësit e policisë. Çfarë përgjegjësie kam unë dhe punonjësit tjerë për ndërtimin e shtëpive, apo konstatimin që ai ka bërë karshi meje për shpërdorim detyre, se nuk kam konstatuar vjedhje të energjisë elektrike.
Zonën ku unë operoj kam 26 mijë abonentë. Kam një shkrim pune me 22 pika, që u a kam vënë në dispozicion punonjësve të policisë, ku në asnjë rast nuk thotë që unë jam përgjegjës për evidentimin e rasteve abuzive në terren. I bëj Prokurorisë së rrethit, Drejtorisë së Policisë, Ministrisë së Brendshme, që të hetohet rasti të arrestohen të gjithë ata që kanë lidhje. Nuk ka arsye ligjore që mua të me çojnë për ndjekje penale, kur unë nuk kam asnjë funksion në terren për të gjetur lidhjet e paligjshme në terren. Janë grupet e zonave, unë ua kam vënë në dispozicion. Ja ku e kam kontratën e punës. Ma gjeni një rast në kontratën e punës që thotë se evidentimi i rasteve në terren është detyrë e imja ligjore.
Evidentimi i rasteve të shkeljes bëhet nga përgjegjësit e terrenit, zona ime ka 3 përgjegjës të tillë, ndërsa unë bëj koordinimin e zonës nga zyra. Çdo gjë që është bërë dje është totalisht flagrante.
Arrestimi, ndalimi janë totalisht të paligjshme. Si ka mundësi nuk arrestohet një punonjës zone, por shkoj unë për shpërdorim detyre. Kështu duhet të shkojnë drejtori i policisë, nën drejtori, e tërë kupola e policisë, jo unë."


