Kryetarët e degëve presion Bashës, i kërkojnë të dalë në terren të takojë strukturat
I vënë nën presionin e kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike, Lulzim Basha së shpejti pritet të zbarkojë në terren për të nisur një tur bashkëbisedimi me demokratët në bazë.
Shkak është bërë situata e krijuar nga përçarja më e madhe që ka njohur kjo forcë politike në këto 31 vite pluralizëm në Shqipëri, që kulmoi me përplasjet e dhunshme të demokratëve në oborrin e selisë së tyre mesditën e 8 janarit.
Në mbledhjen e Kolegjit të kryetarëve që u mbajt pasditen e kësaj të mërkure, 12 janar 2022, në selinë blu Kryetarët kanë kërkuar që Basha të mos ngujohet brenda zyrave dhe se dalja në terren është domosdoshmëri për situatën, në të cilën ndodhet PD-ja.
Kjo kërkesë e artikuluar nga Lefter Gështenja, Agron Kapllanaj, Isa Sakja, Xhevdet Amulli iu bë jo vetëm Bashës, por edhe zëvendësve të tij, kryesekretarit, anëtarëve të Kryesisë si dhe anëtarëve të grupit parlamentar.
Mësohet se krerët lokalë të PD-së kërkuan me forcë që të gjithë të dalin në terren për të komunikuar me strukturat, pasi sipas tyre ky hap është i domosdoshëm si nevojë për t’u shpjeguar demokratëve në bazë tensionet që janë krijuar që prej nisjes së lëvizjes për shkarkimin e Lulzim Bashës nga ana e liderit historik të PD-së, Sali Berisha.
Sipas krerëve të PD-së në rrethe Basha duhet sa më parë tu rikthehet bazësm pasi që prej humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar ai ka ndërprerë çdo komunikim dhe takim me elektoratin
Kryetarët e degëve që kanë kërkuar daljen në terren:
Lefter Geshtenja -Dega 7, Tiranë
Agron Kapllanaj - Dega Fier
Isa Sakja - Dega Kavaje
Xhevdet Amulli - Dega Shkodër
(Lajmi u perditesua 13 janar 2022)

