Escobar: Mbështesim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Zv/Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar ka folur edhe për integrimin e vendit tonë në BE.

Ai tha se shpreson që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një kohë të shkurtër, pasi ka bërë shumë në këtë drejtim.

P oashtu, Escobar shtoi se Shqiëpri dhe Maqedonia e Veriut  kanë fituar të drejtën për të hapur konferencat ndërqeveritare dhe se një gjë e tillë mbështetet nga SHBA-të.

Zëri i Amerikës: Doja t’ju pyesja edhe për shpresat e integrimit në BE për Shqipërinë duke pasur parasysh që zgjerimi nuk është një nga përparësitë kryesore të BE-së për momentin.

Gabriel Escobar: Unë shpresoj që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian në një kohë të shkurtër, pasi ka bërë shumë në këtë drejtim. Është vend evropian nga aspekti kulturor, ekonomik dhe historik. Dhe argumenti ynë për ato pak vende të Bashkimit Evropian që janë skeptikë, është se nëse marrin si shembull përvojën tone amerikane me Shqipërinë dhe NATO-n, ata duhet ta dinë që Shqipëria do të jetë një anëtare e vlefshme dhe konstruktive, sepse e ka dëshmuar këtë në NATO.

Mendoj se të dyja vendet kanë fituar të drejtën për të hapur konferencat ndërqeveritare. Ne e mbështesim një gjë të tillë. Ne e mbështesim anëtarësimin e të dyja vendeve, sa më shpejt të jetë e mundur. Po shohim sinjale pozitive si nga Sofia edhe Shkupi. Kështu që po, vazhdoj të shpresoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lëvizin me shpejtësi në atë drejtim.

Zëri i Amerikës: Shpresat për integrimin në BE janë paraqitur si argumente për të dyja vendet që të angazhohen në mënyrë konstruktive për një zgjidhje përfundimtare. Por duke qenë se zgjerimi nuk duket të jetë në krye të axhendës në BE, a është ky një mjet efektiv?

Gabriel Escobar: Mendoj se Bashkimi Evropian ka sinjalizuar disa herë që se zgjerimi është qëllimi i tyre strategjik. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një proces shumë më i shpejtë. Dhe janë të shumtë ata në Bashkimin Evropian që pajtohen me ne në këtë drejtim. Pra duhet të ndodhë. Është një prioritet strategjik. Kjo është një pjesë e Evropës. Është një pjesë integrale e Evropës dhe mendoj se popujt e këtij rajoni duhet të kenë një vend në tryezë në Bashkimin Evropian. Pra po, kjo do të vazhdojë të jetë politika jonë dhe do të vazhdojë të jetë pika kryesore e dialogut tonë me Evropën. Dhe besoj se edhe ata e kanë të qartë këtë.