Përjashtimet nga PD, Spaho: Basha po tenton të largojë vëmendjen nga dhunimi që i bëri demokratëve

Deputeti demokrat Edmond Spaho e ka quajtur pa vlerë vendimin e kryesisë së PD për të përjashtuar zotin Berisha dhe 7 anëtarë të tjerë.

Sipas tij, kjo po ndodh që të largohet vëmendja nga problemi i vërtetë dhe themelor që kanë demokratët. Sipas Spahos, ky problem ka të bëjë me sulmin e Bashës ndaj demokratëve gjatë protestës së 8 janarit. Më tej Spaho tha se do të vazhdojë punë dhe do të vijojnë të zbatojnë vendimet e Kuvendit të datës 11 dhjetor, të mbajtur në "Air Albania."  

Spaho: Vendimi është i pavlefshëm pasi ajo kryesi nuk ekziston. Nuk ka ekzistuar as me Statutin e miratuar në korrik, pasi nuk u zbatuan kriteret statutore të zgjedhjes me dy kandidatura. 60% e saj u emërua nga Lulzim Basha. Në Kuvendin e 11 dhjetorit, 4446 delegatë kanë shkarkuar Lulzim Bashën dhe të ashtuquajturën kryesi të PD. Shkarkimi i Lulzim Bashës është vendosur nga 44 mijë anëtarë, në fakt synimi i masave të ndërmarra dje është të largohet vëmendja nga problemi themelor që kanë demokratët.

Se si Lulzim Basha më datën 8 janar i sulmoi demokratët me mercenarë të futur brenda PD, i sulmoi me shkopa bejsbolli, me plumba gome. E mbylli selinë dhe e blindoi me dyer hekuri. Ne do vazhdojmë të zbatojmë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit, i cili do ta riorganizojë PD.