Çollaku: Nëse Basha do ishte kaq agresiv ndaj Ramës si ndaj demokratëve sot do të ishte në pushtet
Gazetari Basir Çollaku, u shpreh se dhuna e krijuar më datë 8 janar kur dhe u zhvillua protesta e PD para selisë së PD, mund të shmangej.
Në një intervistë për Ora News, Çollaku tha se të dyja palët, pra Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duhet të zgjidhnin situatën duke përdorur instrumentet politike.
Ai tha se godina nuk të bën as kryetar, as deputet dhe as drejtues i një partie.
Basir Çollaku: Do ishte e domosdoshme të shmangej. Instrumentet politike kanë qenë të mundur të përdoreshin nga palët. Për të shmangur humbjen ndaj një votëbesimi atëherë Basha dhe mbështetësitë e tij, kanë zgjedhur të radikalizojnë qëndrimet. Kanë ardhur tek ndëshkimet, të përjashtimet. Të gjithë ata që janë pjesë e strukturave të PD, kjo ushtri elektorale e PD, nuk lejohet të futet në godinën e PD, për një fakt të thjeshtë, nuk mbështet Bashën dhe mbështetësitë e tij. Një përballje e kësaj natyre do mund të ishte shmangur, sepse godina nuk të bën as kryetar, as deputet dhe as drejtues i një partie.
Ndër të tjera gazetari theksoi se nëse mbajtësitë e selisë, duke lënë të nënkuptohet Lulzim Basha dhe mbështetësitë e tij do të ishin kaq radikal dhe agresiv ndaj Kryeministrit Edi Rama, ky i fundit sot nuk do të ishte Kryeministër por në opozitë.
Basir Çollaku:Nëse mbajtësitë e godinës do të ishin kaq radikal dhe kaq agresiv ndaj Ramës dhe kësaj qeverie PD do të ishte sot në pushtet. Po të ishin kaq radikalë, kaq agresivë, ndaj Kryeministrit Rama dhe kësaj qeverie PD do të ishte në pushtet dhe Rama do të ishte në opozitë.
Intervistoi Arnold Kariqi përgatiti Anila Kolgjini.
