Dokumenti/ Familjarët e të arrestuarve për vrasjen e Pashko Ujkës: Djemtë në poligon qitjeje në Kosovë kur ndodhi atentati në Shkodër

Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola, të dyshuar për vrasjen e ish deputetit Pashko Ujka, mbrëmjen e 29 nentorit në Shkodër dolën sot para gjykatës ku u njohën me akuzën.

Babai i Marjan Kolës, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim, para gjykatës publikoi dokumente mbi bazën e të cilave tha se mbrëmjen e 29 nëntorit kur ndodhi krimi, i biri ishte në Kosovë. 

Familjarët e Marjan Kolës vënë në dispozicion pamjet filmike - që vërtetojnë se dy të rinjtë kanë qenë në Kosovë - edhe disa dokumente të Poligonit të qitjes me anë të të cilave duan të vërtetojnë  se më datën 29 nëntor në orët e pasdrekes kanë qenë duke bërë qitje. Ora News siguron këto dokumente ku duket hyrja e dalja e tyre nga ky poligon.

" Më 28 dhe 29 Nëntor ka qenë në Kosovë. Edhe në 29 në mbrëmje ka qenë në Kosovë."

Familjarët pretendojnë se Marjan Kola ka qenë në një poligon qitjeje në Prishtinë.

"Poligoni është me kamera, kur ka hyrë në poligon" 

Ndaj kërkojnë që të lirohet i riu që akuzohet se ndihmoi Kristjan Kelmendin, të dyshuar si ekzekutor i ish kryetarit të Komunës Velipoje të largohet pas krimit.

Ish deputeti Pashko Ujka u ekzekutua mbrëmjen e 29 Nëntorit në lulishten "Vasil Shanto" në Shkodër

Dyshimet e policisë janë se ekzekutori i ish kryetarit të Komunës Velipojë me veprimtari në ndërtim është Kristjan Kelmendi, ndërsa shkak i vrasjes është një borxh.

Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola u arrestuan më 30 nentori, në kthim nga Kosova, ndërsa po hynin në territorin e Republikës së Shqipërisë policia i ka arrestuar.