Harta Gjyqësore, Daci: Nuk është mirëstudiuar, qytetarët do të kenë të njëjtat kosto por jo shërbimet

Harta e re gjyqësore e propozuar nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë shkrin gjykatat dhe prokuroritë e shkallës së parë në disa qytete, si Tropojë, Pukë, Mat, Lushnje, Përmet, Pogradec, Kavajë, Krujë dhe Kurbin.

Avokati Jordan Daci, në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, u shpreh se harta e re  ishte një përmbysje e re e sistemit dhe sipas tij nuk i shërben interesave të qytetarëve,

Jordan Daci; Shqipëria ka pasur nevojë për një rishikim të hartës gjyqësore. Ka pasur një keqshpërndarje të ngarkesës. Në këtë pikëpamje Shqipëria kishte nevojë që  peshonte numrin e çështjeve dhe të  ribalanconte burimet njerëzore në varësi të numrit të çështjeve duke bërë manovra të kësaj natyre. Kjo mund të përfshinte ndonjë shkurtim gjykate.

Harta e re gjyqësore bëri një përmbysje të sistemit. Është një hartë që nuk I shërben interesit më të lartë të qytetarëve. Drejtësia nuk është një biznes që duhet të jetë rentabël, por drejtësia është një shërbim që shteti i detyrohet qytetarëve. Në këtë pikëpamje nuk mundet që të bëjë llogaritë se sa para shpenzon, sa para I duhen dhe si duhet t’I marrë qytetari. Kjo është gjëja e fundit që duhet të  merret në konsideratë në një hartë gjyqësore. Harta gjyqësore bëhen për disa qëllime: drejtësia të jetë sa më afër qytetarit, sa më e lehtë, sa më me pak kosto, sa më e shpejt, dhe sa më cilësore.

Ai tha se harta e  re gjyqësore nuk është studiuar, ndërsa ka shtuar se edhe pse do shkurtohen gjykatat kostoja për qytetarët do të mbetet njëlloj por jo shërbimet.

Jordan Daci: Me hartën e re gjyqësore kjo  gjë do të rezultojë në efektin e kundërt.  Seancat mund të zgjasin shumë dhe kjo ka kosto. Në njëfarë mënyre ne po e bëjmë për të shkurtuar kosto por nga ana tjetër kostoja do të mbetet njëlloj. Kjo nuk është fare e mirëstudiuar.

Përgatiti Anila Kolgjini.