Meta kundër ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për integrimin në BE: Të bashkëpunojmë
Ilir Meta është shprehur se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të ndahen në rrugën drejt BE-së.
Për të shkuar drejt kësaj rruge sipas kreut të shtetit duhen shtuar më shumë përpjekjet për të ecur bashkë drejt integrimit dhe për të gjetur një zgjidhje me Bullgarinë.
Ilir Meta: Jam me shumë kënaqësi në Shkup dhe në Maqedoninë e Veriut. Është vizita ime e parë për këtë vit, por mendoj se është shumë e rëndësishme për të forcuar më tej raportet tona të ngushta midis dy vendeve si dhe me Presidentin Pendarovski, dhe me përfaqësues të institucioneve të ndryshme pasi jemi edhe në një rrugëtim të përbashkët me Maqedoninë e Veriut në drejtim edhe të procesit të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Prej vitesh fati i dy vendeve tona është i lidhur ngushtësisht dhe na duhet të bashkëpunojmë e të koordinohemi më mirë me njëri-tjetrin, me faktorë, jo vetëm me Bashkimin Europian, por edhe përreth për të e çuar me sukses në këtë rrugëtim tashmë të vonuar.
Këtë deklaratë Meta e bëri një intervistë për TV21 në Maqedoninë e Veriut në emisionin e titulluar ClickPlus.
