Covid godet Kukësin, 7 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit pozitiv, kërkojnë shtyrjen e ndeshjes me Dinamon

7 futbollistë dhe 3 anëtarë të stafit teknik të klubit të futbollit të Kukësit kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Klubi i Futbollit ku thotë se edhe disa futbollistë të tjerë janë të dyshuar duke qenë se jetojnë në një banesë me të prekurit dhe kanë kontakt të vazhdueshëm.

Në kushte të tilla, të prekurit por edhe të dyshuarit, janë karantinuar në banesat e tyre duke shmangur kontaktin me pjesën tjetër të ekipit megjithatë, të tjera teste do të kryhen ditë pas dite.

Sipas kalendarit, skuadra do të zhvillojë të shtunën e datës 15 janar ndeshjen ndaj Dinamos, por në kushte të tilla nuk mund të flitet për një ndeshje normale futbolli.

Ndaj Klubi ka kërkuar në rrugë zyrtare në FSHF shtyrjen e ndeshjes ndaj Dinamos, duke qenë se organika e ekipit është e cunguar por njëkohësisht rrezikohet shëndeti i skuadrës por edhe ekipit kundërshtar.