Ish-polici i shpëtoi atentatit të dytë, Gentjan Bejtja për ngjarjen në Nikël: Nuk e pamë kush na sulmoi

Atentatorët e ish-policit, Gentjan Bejtja dhe mikut të tij Klodian Stafuka, të dielën në Nikël të Krujës mbeten të lirë, ndërsa objekjektivët e sulmit me armë kanë dalë nga rreziku për jetën. Në dëshminë e parë, ata kanë deklaruar se nuk e panë se kush i qëlloi.

Atentati ndaj ish-policit Gentjan Bejtja dhe Klodian Stafukës, në zonën e Niklës në Krujë mbetet pa autorë, ndërsa përfshirja në ngjarje të rënda në të shkuarën është pista kryesore e hetimit.

Disa persona u shoqëruan në cilësinë e dëshmitarit apo personit në dijeni për ngjarjen mbrëmjen e së dielës, 9 janar 2022.

Por, deri më tani askush nuk është vënë në pranga si i dyshuar për sulmin me armë zjarri.

Burimet thonë se as pamjet e kamerave të sigurisë së një karburanti, pranë të cilit ndodhi ngjarja, nuk kanë dhënë detaje të vlefshme për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe identifikimin e autorëve.

41-vjeçari, ish-efektiv i policisë, sipas dëshmisë se parë ka qenë duke udhëtuar me një makinë bashkë me shokun e tij, kur pretendon se është qëlluar nga pas.

“Na doli një makinë e zezë dhe rrugë dhe qëlloi në drejtimin tonë. Nuk e pamë kush na sulmoi” citohet të kenë deklaruar ata para grupit hetimor në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Gentjan Bejtja u prek nga një plumb në krah dhe humbi kontrollin e mjetit e për pasojë Klodian Stafuka mori disa lëndime nga xhamat e thyer.

Në vendngjarje policia gjeti 10 gëzhoja dhe dyshimet janë se për sulmin u përdor një automatik kallashnikov.

Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka, një person i zhdukur prej vitit 2015, ishin të dyshuar vjedhjen e makinës tip BMW, që u përdor në atentatin ndaj kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.

Ai ka rënë pre e një atentati edhe në vitin 2016, kur në automjetin e tij shpërtheu një sasi tritoli ku mbeti i plagosur.