Kundër hartës së re gjyqësore, avokatët në Lezhë: Do bojkotojmë seancat, të merren parasysh kërkesat!
Propozimet e qeverisë për hartën e re gjyqësore vijojnë të kontestohen. Dhoma e Avokatisë së Lezhës paralajmëron bojkot të punës nëse nuk do të reflektohen kërkesat e tyre të cilat i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Avokatet e Lezhës paralajmërojnë bojkot të punës, nëse nuk do merren në konsideratë propozimet e tyre në lidhje me harten e re gjyqësore.
Dhoma e Avokatisë zhvilloi një takim në lidhje me këtë çështje dhe propozimet kronkrete te tyre do i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
"Kemi disa pika ku e kundërshtojmë këtë hartë të re gjyqësore, këto do ja referojmë KLGJ, Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë."
"Propozimet kanë të bëjnë edhe me mundësinë e bojkotimit të seancave gjyqësorë, përfshirë ato për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit si kusht për të na marrë në konsideratë për mosndryshimin e hartës së re gjyqësore pa u konsultuar mirë."
Dhoma e Avokatisë Lezhë është totalisht kundër hartës së re gjyqësore të propozuar aktualisht, pasi sipas avokatëve diçka e tillë cënon aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe rrit kostot financiare për ta.
"Cënon aksesin në sistemin gjyqësor por në të njëjtën kohë pamundëson zhvillimin në kohë të seancave gjyqësore."
Referuar hartës së re gjyqësore në Qarkun e Lezhës është parashikuar të ketë vetëm një gjykatë, ndërsa ajo e Kurbinit do të shkrihet.

