Protesta para selisë blu, Berisha: Kemi 12 të plagosur dhe 40 të rinj të ndaluar
Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se nga protesta e zhvilluar ditën e sotme janë plagosur 12 persona.
Në fjalën e tij ai tha se policia ka shoqëruar në komisariat 40 protestues, ndërsa shtoi se protesta ishte madhështore dhe kishte për detyrë të hapte dyert e blinduara.
Ndër të tjera ai tha se Komisioni i Rithemelimit do të japë një datë se kur do të kthehen sërish demokratët në seli.
Sali Berisha: Protesta e demokratëve ishte krejtësisht paqësore. Kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Lulzim Basha.
Demokratët sot kanë vetëm një pyetje se kur do të kthehen përsëri. Komisioni i Rithemelimit do i japë përgjigjen atyre në kohën më të shpejte.Në fakt, protesta dyert i hapi. Nderim të madh të gjithë atyre protestuesve të cilët me guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindat e Edi Ramës dhe peng Bashës pa gërvishtur qoftë edhe një person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën të cilat tejkalonin çdo lloj limiti ka patur ndër të tjerë kolegë tuaj, fotografë të shquar si Felix Bilani, nga toksiteti i gazit, pothuajse po humbisnin ndjenjat dhe më shumë. Banditët e Edi Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit. Janë të plagosur dhe kanë kaluar nëpër spitale 12 demonstrues. Janë të ndaluar pa asnjë motiv, të rinj të kapur në rrugë për fajin e vetëm se kanë marrë pjesë në protestë, rreth 40 protestues. Ajo çka më ka impresionuar më shumë është vendosmëria e protestuesve për të qëndruar të pamposhtur. Ata kanë sot vetëm një pyetje, kur do të kthehemi përsëri”
