Protesta, 10 protestues marrin ndihmën mjekësore te Trauma dhe te QSUT, njeri ende nën kujdesin e mjekëve
Rreth 10 persona të cilët ishin pjesë e protestës të thirrur nga Sali Berisha para selisë së PD, janë paraqitur në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Gazetarja e Ora News, Nertila Dosti, ka bërë me dije se 4 prej tyre i janë drejtuar spitalit të Traumës, ndërsa 6 të tjerë kanë shkuar për të marrë ndihmën mjekësore në QSUT.
Bëhet e ditur se të gjithë të lënduarit ishin protestues, të cilët kanë marrë fraktura në kokë dhe trup.

Aktualisht sipas gazetares, 9 prej të lënduarve pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar nga spitali ndërsa vetëm njëri prej tyre ndodhet në spitalin e Traumës ku dhe po merr ndihmën mjekësore.

Sipas gazetares kanë qenë edhe shumë punonjës të mediave që janë dëmtuar. Mësohet se operatorët dhe gazetarët e terrenit janë dëmtuar nga gazi lotsjellës.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Panganika, pak më parë në një deklaratë për mediat, tha se policia ndërhyri në momentin që vlerësoi se rrezikohej jeta e qytetarëve.
“Pati kërkesa dhe telefonata nga drejtues të PD-së. U telefonuam. Telefonatat janë të regjistruara të gjitha. Ndërhymë kur vlerësuam se rrezikohet jeta. Rrezikohej jeta e çdo qytetari, jo vetëm deputeti”, - tha ai.
