Protesta e dhunshme në PD, policia: Po punojmë për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve

Lidhur me protestën dhe incidentet e ndodhur anë PD ditën e sotme, Policia e Shtetit bën me dije se po kryhen veprimet proceduriale në selinë e PD-së.

Policia pohon se do të fillohet me hetimet na jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, ku do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Në njoftim shtohet se do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe autorëve të përfshirë në të.

“Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve procedurale, në selinë e Partisë Demokratike, për këqyrjen e çdo ambienti ku u zhvillua ngjarja që degradoi në përdorimin e dhunës. Duke filluar nga jashtë, deri në të gjitha ambientet e brendshme të selisë, do të bëhet këqyrja dhe do të mblidhet çdo provë e paligjshmërisë që karakterizoi ngjarjen e dhunshme.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë ne akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë. Në vijim do të ketë njoftime të tjera lidhur me këtë situatë. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe çdo akuze apo insinuatë me sfond politik ndaj saj është thjesht e papranueshme.” – bën me dije policia.