Selia e PD-së, "skenë krimi", xhama të thyer, dyer të shkallmuara, grushte dhe shkopinj në “Shtëpinë e Lirisë”

Pas më shumë se tre orësh protestë dhe tentativash për t’u futur brenda saj, selia e Partisë Demokratike u kthye në arenë dhune mes vetë demokratëve. Mbështetësit e Berishës hapin portën kryesore, por nuk hyjnë dot në seli. Basha kërkon ndihmën e institucioneve për të shpërndarë protestuesit, policia nuk kursen gazin lotsjellës as ndaj gazetarëve dhe operatorëve.

Selia e Partisë Demokratike u shndërrua në një fortesë beteje këtë të shtunë mes mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët i janë përgjigjur thirrjes së tij për marrjen nën kontroll të godinës ku po qëndronte kryetari demokrat Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të partisë.

Fillimisht dera kryesore e selisë u hap me forcë, rreth një orë para orarit në të cilën ishte thirrur protesta. Xhamat e saj u thyen dhe dyert kryesore u shkallmuan, por protestuesit janë ndalur në pjesën e hollit, ku u gjendën përpara dyerve të përforcuara me veshje hekuri.

Pas këtij momenti nuk ka pasur asnjë çast qetësie në selinë e demokratëve. Protestuesit provuan të hynin nga drejtime të ndryshme të godinës.

Një tentativë e disa personave që me anë të shkallëve u ngjitën në katin e dytë, në një ballkon në krahun e majtë, u s'praps, nga disa persona nga brenda godinës.

Një prej protestuesve mbeti i plagosur në kokë. Përpjekjet e tjera po ashtu janë s'prapsur, ndërsa nga brenda selisë po përdoret gazlotsjellës.

Duke përdorur shkallët, mbështetësit e zotit Berisha kanë tentuar të hyjnë në katet e sipërme, duke përdorur dhe sende të forta e gurë që kanë thyer xhamat. Një derë e blinduar në krahun e djathtë të godinës u arrit të hapej.

Dy orë pas këtyre zhvillimeve Partia Demokratike reagoi duke kërkuar ndihmën e institucioneve ligjzbatuese për ndërhyrje dhe për të shmangur precipitimin me viktima në protestë.

Brenda një harku kohor prej 5 minutash Policia e Shtetit ndërhyri në një kohë të shkurtër duke përdorur gazin lotsjellës. Dhe pas 15 minutash mbështetësit e zotit Berisha u shpërndanë, ku njësitë e policisë morën kontrollin e godinës së PD-së duke u rreshtuar e shumtë në numër në hyrje të saj dhe duke rrethuar perimetrin e saj duke e cilësuar si skenë krimi. Por sulmi i policisë nuk kurseu as gazetarët dhe operatorët që po transmetonin drejtpërsëdrejti protestën e demokratëve në shtëpinë e tyre.

Një orë pas ndërhyrjes së policisë në selinë e Partisë Demokratike do të mbërrinte kryeprokurorja Elisabeta Imeraj, e cila nisi zyrtarisht hetimet për atë çfarë ndodhi më 8 janar në selinë e PD-së.