Berisha paralajmëron protesta të tjera: Do t'i njohë e gjithë Shqipëria, jam anëtar i një revolucioni fitimtar

Teksa e quajti një revolucion fitimtar lëvizjen e tij, Berisha paralajmëroi protesta të tjera, të cilat sipas tij do t'i njohë e gjithë Shqipëria.

Zoti Berisha i rikujtoi dhe një herë Bashës se 44 mijë demokratë kanë votuar për ta shkarkuar dhe njëri prej tyre është edhe vetë Berisha.

Më tej, lideri historik i demokratëve tha se Basha po e mban zyrën dhe selinë me forcën e Edi Ramës.

Berisha: Unë nuk kam ndrojtje, jam anëtar i një revolucioni fitimtar dhe në mënyrë absolute nuk ka të ndalur deri në triumfin e tij. Është i pandalshëm. Kjo tregon, dita e sotme provon se ky është një mision pothuaj i shenjtë, ja ku është demokracia shqiptare. Kjo është fytyra e vërtetë e narko-shtetit. Kjo përbën një motivim shumë më të madh për të vazhduar këtë revolucion deri në fund. Basha është peng i Ramës. 44 mijë anëtarë kanë votuar për shkarkimin e tij, një prej tyre jam dhe unë. Basha është i shkarkuar, ai e mban me forcën e Edi Ramës zyrën dhe selinë dhe ai do përgjigjet për këtë.

Protesta do ketë dhe do t'i njohë gjithë Shqipëria. Pluralizmi politik është arritja më e madhe shqiptare. Ata që duan ta mbajnë peng, po përballen me vrullin e një revolucioni që nuk ka të ndalur.