Krishtlindje "serbe" në Shkodër/ Serbo-malazezët kërkojnë të drejtat: Ligji për pakicat, mbetet peng

Minoriteti ortodoks serbo – malazez që jeton në fshatin Vrakë të Shkodrës, kremtoi Festën e Krishtlindjes sipas kalendarit julian.

Mesha në Kishën e “Shën Trinisë” u mbajt në gjuhën malazeze ndërsa u drejtua nga një klerik I ardhur nga Mali i Zi dhe një shqiptar

E veçantë ishte prania e besimtarëve të komunitetit mysliman.

"Kisha ka 2 mijë vjet që është e hapur për të gjithë njerëzit. Ne i falenderojmë të gjithë personat që na urojnë. Kisha është e hapur për të gjithë dhe i falenderojmë të gjithë ata që vijnë të na urojnë me raste festash."

Me kërkesa për të drejtën e gjuhës e shkollës serbe, kryetari i shoqatës 'Rozafa - Moraça',  Pavlo Janko, ngriti shqetësimin për mos zbatimin e ligjit për minoritetet

Ligji i miratuar 4 vite më parë  sipas tij ka mbetur peng.

"Ka katër vite që është miratuar ligji dhe aktet nënligjore nuk janë realizuar të gjitha dhe ato që janë miratuar akoma nuk shohin gjallninë reale të aplikimit tyre praktik."

Shpallja e 7 Janarit, festë zyrtare ka qenë në vazhdimësi një tjetër kërkesë  e shoqatës që përfaqëson këtë pakicë të vendosur kryesisht në veri.

Ata pretendojnë se në Shqipëri jetojnë mbi 27 mijë serbo malazezë, por që pretendohet se nuk deklarohen pasi janë të frikësuar.