"Ai e di që do ikë nesër", Berisha nga selia: Bashën do ta nxjerrim me pekule. Mercenarët të dalin nga selia
Dyert e mbyllura të selisë së PD, dhe pamjet me përforcimin me hekur të tyre kanë bërë që Sali Berisha të rikthehet në seli këtë radhë për të theksuar se protesta e 8 janarit do të çlirojë selinë blu.
Duke komentuar edhe foton ku disa të rinj shfaqen me maska në ambientet e PD, Berisha kërkoi largimin e atyre që i cilësoi paramilitarë.
"Një gjë është e sigurt, që ne nuk hyjmë në këtë ndërtesë për të dhunuar asnjë njeri, përveçse paralajmëroj mercenarët që është mirë të dalin nga ndërtesa," tha Berisha.
Madje për mediet ai nënvizoi se në protestë nuk do të ketë dhunë.
"Ndaj bunkerit përdoren metoda paqësore, nuk do ta gjuajë askush me mjete luftarake. Midis nesh nuk ka dhe nuk mund të ketë njerëz të armatosur," tha Berisha.
Më herët ishte sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi, që paralajmëroi konferencë për mediet e cila u anulua sapo u bë e ditur vizita e Berishës. Edhe ky i fundit ndryshe nga herë të tjera nuk u largua nga selia, por ndaloi për disa momente në barin e lokalit.
"Uluni se do ju qeras me një kafe si urim për Vitin e Ri," tha Berisha.
Këtë të premte, 7 janar 2022, selia e PD nuk ka qenë aspak e qetë. Ishin të rinjtë dhe gratë e PD që tentuan të hyjnë në ambientet e PD por pa arritur.
"Selia është e mbyllur, është një rast unikal që një parti në opozitë mbyll dyert për selinë e vet," tha Minollari.
Të shtunën, 8 janar, edhe Basha ka paralajmëruar se do të jetë në PD. Madje në të njëjtin orar me protestën e Berishës do të zhvillojë mbledhjen e grupit parlamentar dhe Këshillit Kombëtar.
Pyetje pergjigjet e Berishes
Pyetje: Basha do jetë nesër në seli. A do sjellë kjo një përplasje mes jush?
Berisha: Ku do jetë peng Basha më 8 janar ne nuk i ndërhyjmë. Një gjë është e sigurt, ne nuk hyjmë në këtë ndërtesë për të dhunuar njeri.
Pyetje: Ju thatë se vendosmëria është arma e vetme për të marrë nesër selinë. A do të thotë kjo që protesta nuk ka një afat se kur do përfundojë?
Berisha: Protesta nis nesër në orën 12;00, realizon qëllimet dhe siç e kam theksuar ky revolucion nuk ndalet.
Pyetje: Por nëse nuk arrini ta nxirrni Bashën nesër do të thotë kjo që keni dështuar?
Berisha: Kush tha? Atë s'e thotë as ai vetë. Ai e di që do nxirret nesër.
Pyetje: Nëse Basha refuzon të dalë nga zyra si do e nxirrni?
Berisha: Me pekule do e nxjerrim (qesh).

