Fluks në pediatrinë e Fierit, fëmijët paraqiten me temperaturë të lartë dhe ftohje
Mbi 100 fëmijë paraqiten mesatarisht çdo ditë në pediatrinë e Fierit, ndërsa mjekët thonë se simptomat më të shpeshta janë temperatura e lartë dhe ftohja. Megjithatë, edhe pse në periudhë virozash, bluzat e bardha thonë se një numër i konsiderueshëm të prekurish e kanë të domosdoshëm shtrimin në spital.
Virozat e stinës duket se janë në kulmin e tyre pasi në pediatrinë e Fierit paraqiten rreth 100 fëmijë me simptoma në 24 orë.
Mjekja pediatre Donika Alushanaj sqaron se shtimi i fluksit vjen me uljen e temperaturave dhe qarkullimin e virozave të stinës.
"Ky vit ka filluar me një fluks të rritur të vizitave pediatrike, pasi janë dhe virozat e stinës. Te ne vijnë me komplikacione të ndryshme, temperaturë të lartë. Mesatarisht vizitat arrijnë gati në mbi 100," tha mjekja.
Alushanaj sqaron se mes rasteve që paraqiten në pediatri më së shumti janë ata fëmijë që kanë nevojë për shtrim spitalor, ndërsa nuk mungojnë as reanimacionet ditore.
"Ka reanimacione ditore që mbajmë dhe më pak janë reanimacioet ditore, kurse më të shumta janë shtrimet. Fëmijët preken më shumë dhe nuk ruajnë dot veten, këshillojmë që edhe në shtëpi nëse prindërit janë me gjendje gripale të mbajnë maska, t'i mbajnë fëmijët sa më larg," tha mjekja.
Të shumtë janë edhe të rinjtë që rezultojnë pozitiv me covid, ku rastet më të rënda i dërgojnë në Tiranë për trajtim spitalor.
Si masë mbrojtëse ndaj virozave të stinës por edhe Coronavirusit, mjekët këshillojnë mbajtjen e maskës por edhe shmangien e grumbullimeve.
