Zbarkoi RENEA, drejtori: Operacionet do vazhdojnë deri sa Elbasani të bëhet i sigurt për qytetarët

Forcat Speciale arrestuan 19 persona, mes tyre edhe një të shpallur në kërkim gjatë operacionit të zhvilluar në disa qytete. Drejtori i policisë së Elbasanit tha se kontrollet po kryhen më qëllim zbardhjen e ngjarjeve të vjetra. Operacioni vjen pas një serie krimesh në ditët e para të këtij viti dhe kritikave që drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, ka adresuar ndaj vartësve.

Forcat Speciale RENEA kanë kryer kontrolle e bastisje në qytetet kryesore të vendit në një operacion që ka sy synim zbardhjen e ngjarjeve kriminale që tronditën vendin në ditët e para të vitit të ri.

Epiqendër e aksionit ka qenë Elbasani, ku gjatë vitit të kaluar u regjitruan të paktën 5 ngjarje të rënda kriminale.

Drejtori i policisë atje, Ardian Çipa, i cili mori detyrën vetëm pak muaj më parë, tha së kontrollet kanë si qëllim dokumentimin e ngjarjeve dhe vendosjen e situatës kriminale nën kontroll.

"Policia e shtetit është duke punuar për mbrojtjen e pronës  dhe sigurinë e qytetarëve në të gjithë vendin dhe specifikisht në Elbasan. Ne po marrim të gjitha masat, jemi duke punuar analizimin e të gjitha provave të ngjarjeve të vjetra dhe te ngjarjeve të kohëve të fundit. Këto masa do të vazhdojnë deri në momentin që Elbasani dhe zonat përreth tij mos jenë më vende të kriminalitetit," u shpreh Çipa.

Kryepolici i Elbasanit zbuloi detaje edhe për dy ngjarjet e rënda kriminale që tronditën qarkun, përkatësisht në Peqin dhe Cërrik.

"Janë dy ngjarje të rënda. Është punuar për motivin e tyre. Jemi duke bashkëpunuar me prokurorinë për të vënë para përgjegjësisë autorët. Vdekja e shtetasit në Cërrik, për shkak të shpërthimit të një lëndë eksplozive  ishte aksidentale.  Personi ka qenë pa probleme. Jemi duke punuar për të sqaruar rrethanat e hetimit", tha Çipa.

Të paktën 5 qytete u bënë shënjestër e kontrolleve nga RENEA ku në pranga kanë përfunduar 19  persona.

Në Krujë policia ka ndaluar shtetasit Zenel Haka, Gazmir Haka dhe Marklen Haka, ndërsa ky i fundit 2 vite më parë ishte shënjestër e një atentati me armë zjarri.

Tetë persona përfunduan në pranga në kryeqytet pasi u kapën më lëndë narkotike dhe u zbuluan duke kryer aktivitete të lojërave të fatit.

Me të njëjtat akuza u arrestuan 7 persona në Lezhë, 1 në Vlorë e Gjirokastër, ndërsa nga operacioni u sekuestruan edhe 2 armë zjarri të cilat janë dërguar për verifikim.

Kontrollet janë kryer pas mbledhjes së drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano, me drejtuesit e strukturave lokale të policisë ku ka pasur kritika me tone të larta, ndërkohë që është lënë si detyrë reagimi i menjëhershëm i forcave të rendit ndaj situatës kriminale në vend.