Përgjaken rrugët, 2 viktima e 13 të plagosur në 11 aksidente përgjatë 24 orëve të fundit

Rrugët ne vendin tonë vijojnë të marrin jetë njerëzish. Nga 11 aksidente në 24 orët e fundit në Shqipëri, 2 persona kanë humbur jetën dhe 13 të tjerë janë plagosur. Diku nga shpejtësia, mos zbatimi i rregullave të qakullimit, e diku nga pija aksidentet po kthehen në një shqetësim serioz.

2 viktima dhe 13 të plagosur është bilanci i aksidenteve në vendin tonë në 24 orët e fundit.

Isa Kotrri 29 vjeç ka humbur jetën në aksin Shkodër-Velipojë, pasi makina tip “Range Rover” me të cilin udhëtonte ka dalë nga rruga.

Përplasja dhe rrotullimet kanë qenë të forta, ndërsa 29-vjeçari nuk ka mundur që t’i mbijetojnë plagëve ku edhe ka humbur jetën në vend.

Një tjetër aksident ndodhi paraditen e së premtes në aksin Cërrik-Belsh.

Këto janë pamjet nga përplasja e dy automjeteve.

Dy persona mbetën të plagosur rëndë, ku një prej tyre ka ngecur në mjet pa mundur të dalë. Për ta shpëtuar është dashur ndërhyrja e zjarrëfikëses.

Nga përplasja e 2 mjeteve pasditen e së premtes në Aksin Lezhë-Shëngjin, mbetën të plagosur 3 persona të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës.

Një tjetër person u plagos rëndë në fshatin Bregas të Maliqit, ku mjeti që po udhëtonte doli nga rruga.

Në Fier dy të moshuara  78 dhe 79 vjeçare mbetën të plagosura pasi u përplasën në dy aksidente të ndara në Zharrëz të Patosit, dhe tek “Kthesa e Patosit”.

Të plagosurat ndodhen në spital, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve 22 dhe 44 vjeç u arrestuan.

Aksidente janë shënuar dhe në aksin Thumanë-Fushë-Krujë. Një prej shoferëve, u transportua në “Spitalin e Traumës”. Shkak për këtë aksident mendohet të ketë qenë parakalimi i gabuar.

Ndërkohë të enjten, një 35-vjeçar u arrestua në Durrës pasi përplasi për vdekje një 75-vjeçar.

Gjithashtu në aksin Mamurras-Fushë Krujë, një automjet me drejtues shtetasin A. N., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. D., dhe si pasojë e përplasjes të dy drejtuesit u dërguan në spital për ndihmë mjekësore.

Në Berat një mjet paidentifikuar përplasi një 15 vjeçar para shkollës duke e lënë të plagosur.

Pas disa orësh policia njoftoi se në pranga ra B.Q ,i cili ishte drejtues mjeti dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Përgjaken rrugët, 2 viktima e 13 të plagosur në 11

/Ora News/