Berisha: Amoraliteti politik i Bashës nuk paska fund, nuk është çështje zyrash apo personash

Nga Gjirokastra, ku PD kishte 31-vjetorin e themelimit të kësaj partie në këtë qytet, ish-kryeministri Berisha tha se PD me Bashën kaloi nga humbja në humbje.

Ai tha se edhe pa lider në zgjedhjet e fundit u morën nga PD mbi 620 mijë vota dhe se amoraliteti politik i Bashës nuk paska fund.

Berisha shtoi se kjo nuk është çështje zyrash apo personash, ashti sikurse ata që duan t'ua paraqesin si çështje zyrash dhe personash janë avoketër e mercenarë të antivlerave.

Berisha: PD në kundërshtim me idealet tuaja, nuk arriti të përmbushë misionin e saj, e udhëhequr nga një dështak që sot është simboli më i vetëm në Shqipëri, i humbjeve dhe dështimit. Ajo kaloi në 8 vite nga humbje në humbje. E me gjithë këtë jeni ju ata të cilët e mbajtët këtë forcë politike, një nga forcat politike më kryesore të vendit dhe ju keni një meritë të jashtëzakonshme. Ne nuk u shuam dhe nuk u arkivuam në histori, siç ndodhi me forcat politike në vendet ish-komuniste. Edhe pa lider arritëm të kemi në zgjedhjet e fundit mbi 620 mijë vota.

Por siç thotë një fjalë e popullit, e keqja nuk ka fund. Dhe ajo që po shohim ne së bashku, këto 3 muaj dëshmon se keqësia dhe ligësia, amoraliteti politik i njeriut për të cilin punuam aq shumë, i njeriut të cilin e mbështetëm me ndershmërinë më të madhe, nuk paskan fund dhe nuk njohin asnjë kufi. Kjo që zhvillohet këto ditë, unë i bëj thirrje mençurisë suaj, të qytetarëve shqiptarë, të mos mashtrohen. Nuk është çështje zyrash, jo personash, ata që duan t'ua paraqesin si çështje zyrash dhe personash janë avoketër, mercenarë të antivlerave.