Zbuloi aferën e uniformave të rendit, paditet nga policia. Ja si reagon Myslim Murrizi

Ish deputeti demokrat, Myslim Murrizi i cili vitin e kaluar denoncoi skandalin e tenderit me vlerë 2.8 miliardë lekë për uniformat e policisë sot gjendet i paditur nga policia.

Një relacion policor ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës, ku kërkohet ndjekje penale për ish-deputetin demokrat Myslim Murrizi.

“Ora News” mëson se informacioni policor është përpiluar nga oficerët e sektorit ekonomik pranë Policisë së Shtetit, të cilët kërkojnë nga akuza e kryeqytetit, të ndërmarë veprime hetimore për akuzën e “Fshehjes së të ardhura” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.

Në materialin policor, thuhet se ish-deputeti Murrizi, ka përdorur transaksione të dyshimta nga kompania Justiniani tek kompania “Murrizi 2009”.

Vetëm një nga transaksionet e fiksuar nga policia rezulton se për llogari tëk kompanisë Murrizi 2009, është kryer një transaksion prej 515 mijë euro. Ndërsa në vijim ka pasur dhe transaksione të tjera, që policia i cilëson si të pajustifikuara. Gjithashtu Murrizi, akuzohet nga policia se ka fshehur të ardhurat, duke mos i deklaruar pranë institucionit të ILDKPI-s.

Reagimi për Ora News

Ish deputeti demokrat Myslim Murrizi në një reagim për Ora News i quan të pavërteta akuzat ndaj tij.

“I kam deklaruar të gjitha pasuritë e të ardhurat. Nuk jam i dënuar. Gjykata e Lartë ka dhënë pafajësisë” tha Myslim Murrizi në një prononcim për Ora News. 

Në korrik të 2021 Ish-deputeti Myslim Murrizi vuri në lëvizje SPAK për tenderin abuziv të uniformave të policisë, duke çuar në arrestimin e 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. Në dhjetor të 2021 Gjykata dënoi ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme, dhe 8 zyrtarë të tjerë

Që prej muajit shtator 2021, Myslim Murrizi, nuk është më deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, e tashmë ish-parlamentari e shikon veten të denoncuar nga policia e shtetit për dy vepra të ndryshme penale.