Korçë/ Trafikonte emigrantë të paligjshëm, arrestohet 35-vjeçari i shpallur në kërkim
Një 35-vjeçar i shpallur në kërkim që prej tetorit të vitit të kaluar, është arrestuar sot nga policia e Korçës, pasi akuzohet se ka trafikuar emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës.
I arrestuari është identifikuar me inicialet K.B, banues në Rrëmbec, Maliq.
"Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin e datës 21.10.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 09.06.2021, ku pranë fshatit Grabovicë, Pogradec, u kap bashkëpunëtorja e dyshuar e 35-vjeçarit, shtetasja Xh. H., duke transportuar kundrejt shpërblimit me mjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, 2 emigrantë të paligjshëm", njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorive së Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.
