Relacion policor për ish-deputetin Murrizi. Kërkohet hetim për një sërë transaksionesh e pastrim parash
Një relacion policor ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës, ku kërkohet ndjekje penale për ish-deputetin demokrat Myslim Murrizi.
“Ora News” mëson se informacioni policor është përpiluar nga oficerët e sektorit ekonomik pranë Policisë së Shtetit, të cilët kërkojnë nga akuza e kryeqytetit, të ndërmarë veprime hetimore për akuzën e “Fshehjes së të ardhura” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”.
Që prej muajit shtator 2021, Myslim Murrizi, nuk është më deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, e tashmë ish-parlamentari e shikon veten të denoncuar nga policia e shtetit për dy vepra të ndryshme penale. Në materialin policor, thuhet se ish-deputeti Murrizi, ka përdorur transaksione të dyshimta nga kompania Justiniani tek kompania “Murrizi 2009”.
Transaksionet
Vetëm një nga transaksionet e fiksuar nga policia rezulton se për llogari tëk kompanisë Murrizi 2009, është kryer një transaksion prej 515 mijë euro. Ndërsa në vijim ka pasur dhe transaksione të tjera, që policia i cilëson si të pajustifikuara. Gjithashtu Murrizi, akuzohet nga policia se ka fshehur të ardhurat, duke mos i deklaruar pranë institucionit të ILDKPI-së.
Lëvizja e policisë vjen vetëm 4 muaj pas dorëzimit të mandatit të deputetit. Ky material më një sërë provash të tjera i është dërguar prokurorisë së Tiranës, e cila pritet që të nisë verifikimet për transaksionet e shumta që ka kryer Murrizi nga viti 2010 e në vazhdim.
Mes informacioneve të servirura nga policia në Prokurori, është dhe fakti i një vendimi gjyqësor të gjykatës së Durrësit, ku Myslim Murrizi, rezulton të jetë i dënuar me 3 vite burgim për akuzën e mitmarjes. Ky dënim me burgim, është pezulluar nga gjykata duke e lënë Murrizin në shërbim prove.
Konflikti
Por sipas informacioneve të mbledhura, rezulton se vendimi i shkallës së parë është prishur në Gjykatën e Lartë, duke bërë që Myslim Murrizi, të fitojë pafajësinë.
Sipas vendimi të gjykatës së Durrësit, Myslim Murrizi, në krye të një grupi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, në muajin Shtator 2003, ka përfunduar kontrollin në Degët e Doganës Qafë-Thanë dhe Durrës.
Nga ky kontroll, ndër të tjera, ështe shpallur debitore shoqëria “Agroteks” sh.p.k. Lushnjë, me pronar Qemal Kozare, për një detyrim doganor, në shumën 627.000 lekë, për praktikat e importit të viçave për vitin 2002 dhe tre mujorin e parë të vitit 2003.
Ka rezultuar se, në fillim të vitit 2004, pra, disa muaj pasi kishte përfunduar kontrolli dhe akti përkatës ishte depozituar, Myslim Murrizi, ka takuar në Durrës Qemal Kozare, prej të cilit ka marrë një shumë prej 750.000 lekë të reja. Sipas shpjegimeve fillestare të dhëna gjatë hetimit nga Qemal Kozare, kjo shumë është marrë për të mbyllur shkeljet e kryera në Doganën e Qafë-Thanës.
Më pas, midis Myslym Murrizit dhe Qemal Kozares kanë lindur mosmarrëveshje për faktin se, meqenëse Myslymi nuk e ka mbyllur problemin në Doganën e Qafë-Thanës, Qemali, i ka kërkuar të Myslim që t’i kthejë lekët e dhëna prej tij.
Më pas, Qemal Kozare, në datën 14 shtator 2006, i është drejtuar me një kërkesë Drejtorisë së Pergjithshme të Doganave, ku, ndër të tjera shkruan se “I kam dhënë bakshish, Myslim Murrizit, për të mbyllur veprimin e gabuar, nga i cili kishte lindur detyrimi doganor”.
Reagon Murrizi
Vetë Murrizi në një prononcim për Ora News është shprehur se i ka deklaruar të gjitha të ardhurat dhe se me vendim të Gjykatës së Lartë ka dalë i pafajshëm.
