Flamur Noka paralajmëron Bashën: Më 8 janar marrim selinë, Bardhi: Në seli hyhet me leje
Me justifikimin për zhvillimin e një mbledhjeje ku në fokus do të ishte agjenda politike për vitin që sapo ka nisur, anëtarë të grupimit për Rithemelimin e Partisë Demokratike e patën të pamundur për të hyrë në ambintet e brendshme të asahj që ata e quajnë si shtëpia e tyre.
Kjo për shkak se dera kryesore e godinës ishte e mbyllur me me argumentin se po kryhen punime, që për deputetin Flamur Noka kanë të bëjnë me betonizimin dhe bunkerizimin e selisë nga ana e Lulzim Bashës.
Nga ambientet e jashtme të selisë Noka i bëri thirrje demokratëve që të bashkohen në protestën e datës 8 janar si të vetmen rrugë për të larguar Lulzim Bashën nga zyra e tij.
Deputeti Flamur Noka: Shtëpia e lirisë sot PD duhej të ishte një ambient festiv por për fat të keq Edi Rame ka kthyer me pengun e tij në një alkatraz të kohëve moderne. I patë vetë. Gjithçka me dyer të mbyllura a thua sikur e ka kthyer PD-në në një burg të sigurisë së lartë. Kjo është e turpshme.
Deri më sot ka pasur afat për të zbatuar votën e demokratëve. Më 8 janar sovrani e kthen godinën nga alkatraz në shtëpi lirie siç ka qenë gjithmonë”
Pak minuta më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi e quajti show mediatik ardhjen e përfaqësisë së komisionit të rithemelimit të PD-së në seli. Ndërsa tha se për të hyrë në seli duhet të merret leje me ose pa telefon nga administrata e Bashës.
5 janari ishte afati i fundit që i ishte vendosur Lulzim Bashës për të liruar zyrën nga ana e Kuvendit Kombëtar të PD-së që u mblodh më 11 dhjetor dhe anëtarësia e PD-së përmes referendumit të 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

