Shtyhet gjyqi ndaj Saimir Tahirit, gjyqtari kërkoi kohë për tu njohur me dosjen

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka shtyrë për në datën 17 janar seancën ndaj ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri. Ai së bashku me avokatin e tij Maks Haxhia u paraqitën sot në Gjykatë për seancën e procesit ku ish zyrtari akuzohet për shpërdorim detyre me mosveprime ndaj kultivimit të bimëve narkotike.

Shkak për shtyrjen e seancës mësohet se është bërë kërkesa e gjyqtarit Florian Kalaja pasi kërkoi më shumë kohë për tu njohur me fashikullin ndaj ish-ministrit. Pas kthimit të dosjes nga Gjykata e Lartë në datën 24 nëntor 2021, çështja është regjistruar në Apelin e Posaçëm ku gjyqtarja Daniela Shirka ka dhënë dorëheqjen.

Më pas dosja është hedhur sërish në short duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga gjyqtarët: kryesues Engert Pëllumbi, anëtare Igerta Hysi dhe anëtar Florjan Kalaja.

Pas shtyrjes së seancës, avokati i Tahirit tha se është në pritje për të mësuar arsyen e përjashtimit të gjyqtares, ndërsa kritikoi faktin se Apeli po përdor gjyqtarë të transferuar për shqyrtimin e çështjes.

"Nëse kemi ndërtuar një gjykatë ajo jo vetëm është specializuar por ka dhe autoritetin e juridiksionin për gjykuar megjithatë kjo është situata në drejtësi" tha avokat Haxhia.
 

I pandehur në procesin ndaj ish-ministrit është edhe ish Drejtori i Policisë së Vlorës Jaeld Çela. Dosja ndaj tyre u rikthye në apel pasi Gjykata e lartë shqyrtoi ligjshmërinë e ndryshimit të akuzave “nga trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim dhe “grupi i strukturuar kriminal” në “shpërdorim detyre”.  

Në shtator të vitit 2019, Saimir Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua me 5 vjet burg për shpërdorim detyre.

Më pas dënimi u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar, por të dy palët e dërguan çështjen për interpretim në Gjykatën e Lartë.