Gratë këtë vit dalin në pension 61 vjeç e 4 muaj, për burrat nuk parashikohet rritje e moshës

Rritet mosha e daljes në pension për gratë. Nga 1 janari që një grua të fitojë të drejtën e pensionit të pleqërisë, ajo duhet të ketë mbushur moshën 61 vjeç e 4 muaj. Rritja me 2 muaj në vit e moshës së pensionit për gratë është përcaktuar në reformën e pensioneve, e cila parashikon edhe rritje të viteve të vjetërsisë në punë për burrat.

Me nisjen e vitit 2022 ndryshon mosha e daljes në pension për gratë si dhe vitet e vjetërsisë në punë për burrat.

Kjo rritje është vazhdimësi e skemës së pensioneve të miratuar në vitin 2015.

Reforma cakton një rritje graduale të moshës së pensionit, si për burrat, ashtu edhe për gratë deri në vitin 2056, kur mosha e përfitimit të pensionit do të arrijë 67 vjeç për të dyja gjinitë.

Në përputhje me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore”, parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032.

Për vitin e kaluar, mosha e daljes në pension për gratë ishte 61 vite e 2 muaj.

Ndërkohë sipas kësaj llogaritjeje, mosha e daljes në pension për gratë këtë vit do të jetë 61 vjeç e 4 muaj, ndërsa në 2023 do të jetë 61 vjeç e 6 muaj.

Deri në dhjetor të 2019-s, gratë e përfitonin pensionin e pleqërisë në moshën 60 vjeçare.

Për burrat këtë vit nuk parashikohet rritje e moshës për të përfituar pension, kështu që ata do ta përfitojnë atë në moshën 65 vjeç, si më parë.

Pasi mosha e përfitimit të pensionit për gratë të arrijë 63 vjeç, do të nisë rritja e moshës dhe për burrat, për të shkuar në 67 vjeç për të dyja gjinitë.

Por, deri atëherë burrat do të preken nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë në dhjetor të vitit 2014 duhej të kishte 35 vite vjetërsi për të marrë pensionin, nga data 1 janar 2022 duhet të ketë 37 vite e 8 muaj.

E njëjta logjikë vlen edhe për gratë, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë me 4 muaj në vit.