Vlorë: Tre të shoqëruar për tritolvënien poshtë makinës së vëllait të Sokol Sinomatit
Tre persona janë shoqëruar në polici për tritolvënien në makinën e Bernard Sinomatit pasditen e 3 janarit 2022 në lagjen ”Hajro Cakërri” në Vlorë
Ata po merren në pyetje në cilësinë e të dyshuarit, por deri më tani nuk konfirmohet nëse ndaj ndonjerit është marrë masa e arrestit.
Për të rënë në gjurmët e autorëve, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve e institucioneve në zone
Ato do të verifikohen nëse kanë filmuar persona apo lëvizje të dyshimta para e pas shpërthimit që u shënua rreth orës 18:30, raporton Ora News.
Nga ana tjetër burime në Policinë e Vlorës, thonë se hetimet janë shtrirë në disa pista pasi mjeti ishte i braktisur, ndërsa pronari Bernard Sinomati jeton jashtë Shqipërisë prej kohësh.
Dyshimet e forta janë se tritolvënia mund të jetë një mesazh paralajmërues për të ose familjarët e tij.
Kjo pistë përforcohet nga fakti se sasia e ekspozivit e përdorur ishte e vogël, rreth 150 gramë.
Bernard Sinomati është emer i njohur për agjensitë ligjzbatuese në Vlorë
Ai është është vëllai i Sokol Sinomati, anëtar i bandës së Gaxhait i njohur me nofkën “Buzderri”
Ai ka qenë i dënuar për “Krijim i bandës së armatosur” dhe “Kryerje e krimeve nga bandat e armatosura”
Në vitin 2015, Bernard Sinomati u arrestua për armëmbajtje, ndërsa rezulton se vitin e kaluar ka dalë nga një burg në Belgjikë.
Aktualisht mësohet se jeton në Spanjë.
Grupi i hetimit mësohet se po verifikon të veprimtarinë e tij në vendet e BE, për konflikte të mundshme ku nuk përjashtohet as ajo e prishjes së pazareve të drogës.
Por nuk përjashtohen as përplasje që vëllezërit Sinomati mund të kenë në qytetin e Vlorës.
