Vinçens Piroli prangoset tek Trauma për vrasje: Më bënë atentat në Shkodër, për mjekim në Lezhë nga frika
Vinçens Piroli, 34-vjeçari në kërkim ndërkombëtar, i cili u plagos të hënën e 3 janarit, është vënë në pranga në Spitalin e Traumës për një vrasje të dyshuar në Mal të Zi. Në dëshminë e parë, ai ka deklaruar se i bënë atentat në Shkodër, por shkoi të mjekohet në spitalin e Lezhës, nga frika se tentativa për ta vrarë mund të përsëritej.
Tre plumba në trup e detyruan 34-vjeçarin, Vinçens Piroli, që të shfaqej para autoriteteve shqiptare tre muaj pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të dyshuar në Mal të Zi.
I riu nga Kurbini, por banues në Shkodër, akuzohet se bashkë me Dorian Lalën në korrik të vitit të kaluar vranë në Ulqin biznesmenin, Momçilo Gjurishiç.
Ndërsa mbrëmjen e së hënës ai u plagos në një ngjarje që mbetet e mbuluar me mister dhe dyshime për manipulim.
Në dëshminë e parë në Spitalin e Traumës, 34-vjeçari ka deklaruar se u sulmua në Shkodër, teksa po ecte pranë Urës së Bunës.
Sipas tij, autori e qëlloi nga pas shpine me një pistoletë me silenciator.
Ai mori 2 plumba në kraharor dhe 1 tjetër në shpatull.
I plagosur dhe i frikësuar se atentati mund të përsëritej edhe në Spitalin e Shkodrës, 34-vjecari ka deklaruar se ka marrë në telefon një familjar, i cili e ka dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Lezhës.
Ky i fundit e ka lënë aty dhe më pas është larguar.
Vinçens Piroli mori ndihmën e parë mjekësore në Lezhë dhe më pas u soll në Spitalin e Traumës, ku këtë të martë është vënë në pranga në zbatim të urdhrit ndërkombëtar të arrestuar lëshuar në Mal të Zi në muajin tetor.
Dëshmitë e 34-vjeçarit për atentatin janë marrë me rezervë nga ekspertët në Policinë e Shkodrës dhe Lezhës që u përfshinë në hetimet e para.
Burime thonë se ka dyshime të forta se Vinçens Piroli po tenton të fshehë të vërteten e ngjarjes ku mbeti i plagosur.
Për të verifikuar deklaratat se atentati ndodhi në Shkodër, mësohet se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonën pranë Urës së Bunës.
