Ish-anëtari i KPA-së, Luan Daci: Për dënimin tim shpikën normën "falsifikim intelektual", jam dënuar pa ligj
Ish-anëtari i KPA, Luan Daci, ka ngritur akuza ndaj kolegëve e tij gjyqtarë se e kanë shkarkuar nga detyra në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës. Luan Daci u shreh se do të kërkojë një komision hetimor në lidhje më padrejtësitë që i janë bërë në të gjithë procesin gjyqësor.
"Drejtësia po kthehet në mesjetë".Kjo është deklarata e ish-anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, që vlerëson si të gabuar shkarkimin e tij.
Teksa mohon të ketë kryer veprën penale të falsfikimit të dokumenteve, ai thekson se trupi gjykues ka tejkaluar kompetencat, duke mos dhënë vendim bazuar mbi ligj, por duke bërë interpretime mbi të.
Gjatë konferencës më gazetarët, Daci u shpreh se do kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të merret me të gjitha shkeljet që i janë bërë atij në lidhje më akuzat e ngritura.
Luan Daci: Nuk kam falsifikuar asnjë formular dhe asnjë dokument. Kam aplikuar për tre pozicionet e vettingut dhe i kam fituar të treja pas verifikimeve 6 mujore. Të dhënat janë paraqitur në mënyrë korrekte. Jam dënuar pa akt penal, dënim pa ligj. Jam dënuar për një vepër penale nga GJKKO për falsifikim intelektual, nuk ekziston fare në legjislacionin shqiptar si vepër penale.
Kjo shpifje juridike nga SPAK dhe GJKKO është fenomeni i parë juridik që kam thirrur këtë konferencë. Gjyqtarët duhet ti nënshtrohen Kushtetutës dhe jo të shpikin vepra penale apo krijojnë norma ligjore si në rastin tim, që është rast unikal.Edhe shkarkimi im është bërë pa ligj, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.Vepra penale falsifikim ekziston vetëm kur kryen veprime konkrete mbi dokument.
Luan Daci u shkarkua përfudimisht si gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në dhjetor të 2021 e ndërsa në dhjetor 2020 ai u dënua me 6 muaj burg nga Gjykata e Posaçme, dënim që u konvertua në 12 muaj Shërbim Prove për falsifikimin e kërkesës mes të cilën aplikoi për të qenë pjesë e KPA në vitin 2017.
Sipas SPAK, Daci nuk kishte deklaruar masën disiplinore “largim nga detyra” nga KLD si gjyqtar në vitin 1997.
Fajësia e tij u la në fuqi edhe nga Shkalla e Dytë e Gjykatës së Posaçme dhe Gjykata e Lartë në tetor 2021.
