Pa patentë në timon dhe në shkelje të orës policore, çifti i të rinjve përfundon në pranga, u kapet dhe kokainë

Një çift të rinjsh nga Durrësi janë arrestuar nga policia e Kavajës pasi janë kapur duke lëvizur me mjet gjatë orës policore dhe nuk i janë bindur urdhrit të uniformave blu për të ndaluar.

Në pranga ranë shtetasit S. K., 29 vjeç, dhe E. Gj., 19 vjeçe, të dy banues në Durrës.

Arrestimi i tyre u bë për veprat penale  “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikëve”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

"Këta shtetas rreth orës 02:40, nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe pasi janë larguar,  dyshohet se shtetasi S. K., që drejtonte mjetin është shkëmbyer me pasagjeren E. Gj., duke deklaruar se e drejtonte ajo automjetin, ku nga verifikimet rezultoi se të dy nuk kishin leje drejtimi për automjetin".

Gjatë kontrollit të automjetit që këta shtetas qarkulloin, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë me peshë 6.5 gramë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndës narkotike. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.