S’ka festa për fermerët, në Divjakë prodhuesit ankohen për treg: Shteti do vetëm të na rrjepë, po falimentojmë!

Teksa shumica e sektorëve në vendin tonë janë me pushime të fundvitit, ditët e para të vitit i gjetën fermerët e Divjakës në tregje duke shitur prodhimet e tyre bujqësore. Ata thonë se mungesa e tregut dhe rënia e fuqisë blerëse po i çon ata drejt falimentimit.

Fermerët e Divjakës nuk e kanë luksin e pushimeve.

Ditët e para të vitit i gjejnë në fusha, duke u kujdesur për të nxjerrë në treg prodhimet.

Është koha e perimeve që duhen bërë gati për tu shitur.

Por rezultati po gjunjëzon fermerët, të cilët nuk kanë fitimet e pritura.

"Gjynah të rrish këtu, katastrofë. Punon dhe nuk merr djersën tënde. Të ikësh, të marrësh malet. Nuk kam, shitur dot mallin, ku është shteti?"

Gjatë një dite ata mund të mos shesin asgjë, dhe prodhimin e rikthejnë në shtëpi.

Në këtë kohë, sipas vetë fermerëve, çmimet i kanë përgjysmuar jo për të fituar por për të mos e lenë prodhimin të prishet.

"Janë rritur të gjitha gjërat, plehrat janë rritur, se di si do shkojë ky vit."

"Plehrat janë rritur, gazi dhe nafta, shteti do vetëm të na rrjepë, po ne? Ku ta çoj mallin, tjetri do borxhin."

Fermerët e zonës se Divjakës krahas tregtimit të perimeve të stinës janë duke mbjellë edhe prodhimet e reja, ndërsa ata shprehen se sipërfaqja e mbjellë do të jetë mjaft e reduktuar për shkak të mungesës së tregut.