“2022 do mbyllë shumë çështje të mbetura pezull në 2021” Artan Fuga analizon vitin që sapo hymë

Akademiku Artan Fuga thotë se 2022 është viti i mbylljes së shumë çështjeve të lëna papërfunduar në 2021.  Në një intervistë për RTV Ora mbrëmjen e 3 janarit me gazetaren Beti Njuma, profesor Fuga bën një parashikim se çfarë do të sjellë viti i ri.

RTV Ora:  Si ka hyrë për ju Viti i Ri?

Artan Fuga: Do të jetë një vit që do të bëjë bilancin e 2021. Të bëhen disa llogari që janë lënë hapur për 2021

RTV Ora: Po llogaritë e shqiptarëve në kuptimin politik?

Artan Fuga: Kur them që 2022 do të jetë fundi i dilemave që janë ngritur në 2021, kam parasysh: Në radhë të parë është i ngritur problemi i hapave që do të bëjë Shqipëria drejt integrimit europian. Do të hapen apo jo negociatat.

Kemi problem tjetër të hapur. 2022 koincidon me zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Të shohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe përtej saj është zgjedhja standarde e postit më të lartë të shtetit.

Së treti të shohim çfarë do të ndodhë në PD në betejën mes krahut që përfaqësohet nga  foltorja dhe krahut të statusit zyrtar simbolik që përfaqëson pjesa tjetër.

Me kalimin e kohës do të shohim çfarë do të ndodhë me gjendjen sanitare të vendit. Shfaqjet e  variantet e reja dhe pasojat sociale ekonomike.

Ka shumë gjëra të mbetura pezull 2021. Duket që ishte një babagjysh që la shumë gjëra pezull dhe të shohim si do reflektohen në muajt e parë të 2022.