Banorët e Torovicës në dorë të Zotit, Pjerin Ndreu heq përgjegjësinë për rrezikun e rrëshqitjes së gurëve
Rrëshqitja e gurëve në Torovicë të Lezhës rrezikon në çdo kohë të shkaktojë tragjedi, ashtu si në vitin 2017 kur tre persona humbën jetën nga shkëputja e një masivi shkëmbor. Në këtë situatë, kryebashkiaku i Lezhës është dorëzuar, duke e drejtuar gishtin e përgjegjësisë drejt qeverisë dhe ARRSH.
Tre viktima, mes tyre një grua shtatzënë, shkaktoi rrëshqitja e gurëve në Torovicë të Lezhës në vitin 2017.
Por pavarësisht tragjedisë së rëndë, prej asaj kohe bashkia e Lezhës dhe autoritetet e tjera nuk kanë marrë asnjë masë, duke lënë banorët në rrezik për jetën.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ngre duart lart teksa gishtin e përgjegjësisë e drejton tek Qeveria shqiptare dhe Autoriteti Rrugor.
"Nuk ka plan bashkia fare se nuk merret. Bashkia e ka ngritur zërin për atë problem dhe qeveria duhet të gjejë zgjidhje bashkë me ARRSH."
Teksa Bashkia ka vendosur të rrijë duarkryq, Ndreu thotë se te Qeveria dhe ARRSH është prezantuar plani por nuk është bërë asgjë më shumë.
"Është prezantuar plani. Është një problem që ekziston, ashtu siç u ndërhy në Shëngjin duhet të ndërhyhet dhe atje."
Derisa Bashkia Lezhë dhe Qeveria të vendosin se kush do të ndërhyjë, banorët e Torovicës dhe udhëtarët do të vazhdojnë të jetojnë e kalojnë aty me sytë nga mali.

