Gjykatat e Prokuroria në kolaps, Ibrahimi: Po bëhet më vështirë të marrësh drejtësi

Situata e krijuar nga shkarkimet e vettingut po fut në kolaps Gjykatat dhe Prokurorinë. Të mbledhur në një tryezë të përbashkët drejtuesit e KLP dhe KLGJ pranuan se krahas Apeleve, i cili tashmë është në kolaps e njëjta situatë po krijohet edhe në gjykatat dhe Prokuroritë e rretheve si pasojë e vendeve të mbetura vakante nga rivlerësimi kalimtar.

Drejtuesit e institucioneve me të larta të drejtësisë japin alarmin se largimet e shumta nga vettingu po fusin ne kolaps Gjykatat dhe Prokuroritë e Shkallës së Parë.

Problematika u paraqit në një tryezë të përbashkët të KLGJ dhe KLP ku merrnin pjese edhe drejtues të Gjykatave dhe Prokurorive.

Kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami dhe kreu i KLP-së Gent Ibrahimi paraqitën si instrumente hartën e re gjyqësore , shtimin e kuotave në shkollën e Magjistraturës, si dhe futjen e ndihmësve ligjor si në gjykata ashtu dhe në prokurori.

"Ne sot i bëjmë llogaritë me pasojat e procesit të vettingut, ne e dimë që sot po bëhet gjithnjë e më vështirë për të marrë drejtësi në dyert e institucioneve të drejtësisë," tha Ibrahimi.

"Sot kemi në sistem vetëm 2/3 e gjyqtarëve. Gjykatat dhe Apelet vazhdojnë të jenë thembra e Akilit pasi kapitalin human  të ngritur për 30 vjet nuk e ngremë dot brenda natës," tha Llagami.

Ish-kryeprokurori Arben Rakipi, aktualisht drejtori i shkollës së Magjistraturës, tha se shkaku i kësaj situatë është bërë vonesa me të cilën po operojnë organet e vettingut.

"Shtëpia ne na është mbushur me ujë dhe çezma e hapur janë ata. Ata nuk besoj kurrë që nuk kanë vepruar në përputhje me ligjin, besoj unë shumë dhe gati vë dhe dorën në zjarr që kanë zbatuar ligjet dhe Kushtetutën. Kam respektin dhe besimin në këtë që po them për punën e tyre, por duhet të jenë prezent në trajtimin e kësaj gjëje."

Shqetësuese e paraqiti situatën edhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.

"Prokuroria e Përgjithshme e ka bërë të pamundurën në pikëpamje të asaj që mund të ofrojë për sistemin për t'iu përgjigjur atyre boshllëqeve që ka sistemi për sa i përket vakancave," tha Çela.

Edhe kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha kërkoi më shumë angazhim në plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë, gjë që do të ndikojë edhe në plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.