“Kujdes nga çelësi që ngelet në derë”, Rama ironizon Bashën: Kush do që mos të ketë probleme me bravën të bëhet socialist
Kryeministri Edi Rama, nga Bubqi ku dhe ka bërë shpërndarjen e çelësave të shtëpive të rindërtuara, ka hedhur ‘kunja’ dhe për Partinë Demokratike.
Duke iu referuar situatës të tensionuar brenda PD, Rama me ironi u ka bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes nga ndërrimi i bravave.
Ai tha se sëmundja që i ka zënë demokratët me bravat, nuk është çështje e qeverisë e as e socialistëve, ndërsa shtoi se kush do që mos të ketë probleme me bravat të bëhet socialist.
Edi Rama: Keni një shtëpi 100% falas. Falas me titullin e pronësisë me hipotekë. Është e drejta juaj ta trashëgoni, ta shisni, ta jepni me qira dhe të bëni ç’të doni. Vetëm duke pasur parasysh zhvillimet e kohëve të fundit, kujdes bravat, sepse aty pastaj nuk është pjesë e programit të rindërtimit. Ruajini, nga ndërrimi i bravave, nga çelësat. Çelës si ai që ngelet në derë, kujdes nga këto. Unë e di që në Bubq ka shumë demokratë por ky nuk është një program për socialistët por për shqiptarët.
Për mua shqiptarët janë një soj, kur është nevoja për t'u ju gjetur pranë. Njësoj si demokratët si socialistët shtëpitë janë njësoj. Për sa na takon dhe bravat janë të sigurta. Kjo sëmundja që i ka zënë demokratët me bravat, nuk është çështje e qeverisë e as e socialistëve. Kushdo që mos të ketë probleme me bravën të bëhet socialist.
Po ashtu Rama ka bërë dhe batuta me banorët duke thënë se nësë demokratët do të kenë probleme me bravat do të ndihmohen nga komshinjtë socialistë.
Edi Rama: Komshinjtë socialist do të ndihmojnë komshinjtë demokratë përsa u përket bravave.
