Basha nga Dibra fton demokratët të bashkohen: Ti japim fund çdo kakofonie brenda PD
Kryetari i PD-së Lulzim Basha nga Dibra ftoi demokratët të bashkohen në betejën kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij.
Basha u shpreh i bindur se me vendimin e marrë më 9 shtator për Sali Berishën zgjodhi të ardhmen e PD-sëkrah SHBA-së.
Lulzim Basha: “9 shtatori është dita kur unë kam vendosur pas muajsh të tërë përpjekjesh, ta ndaj të shkuarën nga e ardhmja. Kam vendosur ta mbaj Partinë Demokratike në krah të SHBA-së dhe SHBA-të në krah të Partisë Demokratike. Dhe përveç atyre që luftojnë për karriget e tyre dhe atyre që janë ende fatkeqësisht të verbuar nga emocionet dhe nuk arrijnë ende të vendosin interesin e përgjithshëm të demokratëve dhe të shqiptarëve, mbi interesat e një personi, të gjithë të tjetër po e kuptojnë, se fitorja që Partia Demokratike dhe Shqipëria meriton, është sot më pranë. Se pengesat që kemi pasur janë më të kapërcyeshme dhe se aleancat tona janë më të forta dhe vizioni i ynë më i qartë për të larguar regjimin dhe për të sjell Partinë Demokratike në pushtet.
Basha tha se Ramës i intereson një PD e përçarë.
Lulzim Basha: “ E vetmja mburojë që i ka mbetur Edi Ramës për të mbajtur pushtetin, është të investojë fuqishëm në përçarjen e të vetmes forcë politike, e të vetmes familje politike që e ka fuqinë të mobilizojë shqiptarët dhe të rrëzojë regjimin e tij.”
Basha akuzon qeverinë Rama se qeveris me një pakicë që kërkojnë me çdo kusht të mbajnë në këmbë atë që ai e quan ‘regjim”
Lulzim Basha: “300 mijë euro për 25 këshilltarë paguan Edi Rama nga taksat që iu merr shqiptarëve. Para të mjaftueshme për të futur në skemën e ndihmës ekonomike 500 familje. Në vend të 500 familjeve në ndihmë ekonomike, kemi 25 këshilltar dhe e kuptoni vet se çfarë këshillash i japin Edi Ramës, sepse e shikojmë se si është Dibra, e shikojmë se si është Shqipëria në ditën e saj më të zezë. …Vetëm një pakicë e vogël, aq e vogël sa e zë një avion i vetëm që është nisur ditën e avion privat sheikësh drejt Dubait, vetëm ata përfitojnë nga regjimi i Edi Ramës. Vetëm ata pasurohen në një kohë që i gjithë populli varfërohet. Vetëm Ata gëzojnë dhe fërkojnë duart për të mbajtur paligjshmërisht, me çdo kusht e me çdo mjet në këmbë këtë regjim.”
Basha ftoi demokratët të flakin thirrjet për ti hedhur demokratët përballë njëri tjetrit dhe i fton në bashkim.
Lulzim Basha: “Detyra jonë e parë është të flakim tutje çdo thirrje për përçarje, çdo thirrje për ti hedhur demokratët përballë njëri tjetrit, detyra jonë e parë është të rikonfirmojmë para shqiptarëve se në jemi ata të cilët nisëm udhëtimin 31 vite më parë , njerëzit e vlerave, njerëzit që duan sundimin e ligjit, jo sundimin e njëshit, njerëzit që duan demokracinë e vërtetë dhe jo shitblerjen e votës, njerëzit që duan një Shqipëri ku pasuritë e panumërta të këtij vendi ti gëzojnë të gjithë shqiptarët dhe jo një grusht oligarkësh”
Unë e kuptoj që detyra ime e parë është ti japim fund çdo kakofonie brenda familjes tonë, ti hapim krahët dhe të mirëpresim të gjithë ata që kishin humbur rrugën dhe sot e dinë se përmes bashkimit vjen fuqia dhe fuqia e demokratëve të bashkuar është e papërballueshme nga Edi Rama dhe çirakët e tij."
