Policia kujton heronjtë e saj, Nano: Krenar për familjarët tuaj, na keni në krah

Një aktivitet festiv u zhvillua pasditen e kësaj të mërkurë ku pjesë e saj ishin familjarët e efektivëve të rënë në krye të detyrës së bashku më drejtuesit e policisë së shtetit. Teksa shpërndanin dhurata Gledis Nano u shpreh i gatshme për t'i ndihmuar familjaret e të rënëve në detyrë në çdo rast.

Me rastin e festave të fundvitit drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Gledis Nano zhvilloi një aktivitet me familjarët e efektivëve të rënë në krye të detyrës.

Në këtë takim, Nano u premtoi familjarëve se policia e shtetit do të jetë në krah të tyre në çdo rast që ata kanë nevojë.

"Ju nuk do të jeni asnjëherë vetëm, por përherë do të jeni në familjen e madhe të policisë së shtetit. Në këtë familje për të cilën njerëzit tuaj të dashur dhanë gjënë më të shtrenjët jetën, dhe për këtë ju duhet të ndjeheni krenar pasi babai, vëllai, familjari juaj që sot nuk është këtu me ne është përjetësisht në piedestalin e nderit të Kombit dhe në vetëdijen e mbarë Shqipërisë," tha Nano.

Në aktivitetin e zhvilluar, Drejtori i përgjithshëm shpërndau edhe disa donacione të mbledhura për gjatë këtij viti për familjarët e 225 efektivë të cilët humbën jetën gjatë ushtrimit të detyrës.

Nënkomisari Saimir Hoxha ishte efektivi i fundit i cili u vra në krye të detyrës. Ai u qëllua për vdekje nga 21 vjeçari Aldi Rama në zonën e Kunë Vainit në Lezhë.

Në shpërblimin për festat e fundvitit qeveria miratoi që pagë shtesë do të marrin2 kategori pensionistësh dhe familjet në nevojë.