Gjithë jetën nomadë! Familja rome dimëron në Sarandë: Nuk kemi pasur kurrë shtëpi
Një familje nga komuniteti rom me 7 anëtarë që po dimëron në çadra plasmasi në Sarandë, tregon se ata kurrë nuk kanë pasur çati mbi kokë ndërsa betejën për bukën e kanë të përditshme. 5 fëmijë kanë mbetur pengje të varfërisë duke mos shkelur kurrë në shkollë.
Kjo çadër plasmasi është streha e improvizuar familjes Ibrushi nga komuniteti rom.
Ata nuk kanë kurrë një çati mbi kokë.
"Asnjëherë në jetën tonë nuk kemi jetuar në një shtëpi."
Familja u shpërngul nga Gjirokastra, në Sarandë dy muaj më parë me shpresën se buzë detit dimri do të jetë me i butë.
Por me grumbullimin e materialeve të riciklueshme, nuk po arrijnë të sigurojnë as bukë thatë çdo ditë.
"Nuk e dimë fare, nuk kemi lekë që të hamë."
Jeta si nomadë dhe kushtet ekonomike kanë marrë peng edhe 5 fëmijët.
Asnjë prej tyre nuk është ulur kurrë në bankat e shkollës.
"Nuk shkojnë në shkollë se nuk kemi kushte. Fëmija i madh është 14 vjeçe."
Çdo vit institucione dhe shoqata harxhojnë mijëra e mijëra euro për tryeza e projekte në ndihmë të komuniteteve të margjinalizuara, por rasti i familjes Ibrushi tregon në realitet për ta është bërë thuajse asgjë.


