Basha i përgjigjet Ramës: Aferat dhe pazaret nuk mbulohen dot me shfaqje bajate, po lëkunden themelet e shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, i cili nuk e njeh më opozitën, duke theksuar se qeveria është shkatërruese e mirëqenies së shqiptarëve. Afera mafioze e inceneratorëve dhe nxjerrja në pazar e të dhënave më sensitive të qytetarëve nuk mbulohen dot me shfaqje, por kërkojnë drejtësi për të çliruar shqiptarët nga shteti i kapur nga korrupsioni, sipas Bashës.
"Pasi i ka varfëruar, përgjuar, shantazhuar për të masakruar zgjedhjet, doli me devizën e vjetër “ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, sepse propaganda është e vetmja gjë që di të ofrojë përballë furisë së skandaleve që e ekspozojnë si shkatërruesin e mirëqenies së shqiptarëve. Afera mafioze e inceneratorëve dhe nxjerrja në pazar e të dhënave më sensitive të qytetarëve të një vendi anëtar të #NATO, nuk e mbulon dot me shfaqje bajate. Këto skandale vjedhjesh, mashtrimesh, manipulimesh që po lëkund themelet e shtetit, s’kanë nevojë për shfaqje, por kërkojnë drejtësi për të çliruar shqiptarët nga shteti i kapur nga korrupsioni," shkruan Basha.
Ndërsa sekretari për organizmin dixhital, Endri Hasa, tha se të dhënat personale u vodhën për të vjedhur zgjedhjet.
"I mori të dhënat tuaja që në fillim të këtij viti ka pasur vetëm një qëllim, t'i përdorë ato për t'ju shantazhuar, për t'ju kërcënuar dhe joshur për votën që ju do të hidhnit në kutinë e votimit në 25 prill," tha Hasa.
Partia Demokratike, thotë se në një vend normal, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen. Në 8 vite sipas Hasës, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Autoriteti Kombëtar për certifikimin elektronik dhe Sigurinë Kibernetike kanë shpenzuar mbi 160 milionë euro.
