Terrori me armë në një lokal në Lezhë, arrestohet bashkëpunëtori i Ramazan Rrajës

Një 21-vjeçar me iniciale A.L. është arrestuar nga policia pasi akuzohet si bashkëpunëtor i autorëve të terrorit me armë në një lokal në Lezhë nga disa persona, mbrëmjen e 13 nëntorit.

Njëri prej autorëve është nipi i deputetit të PS Rrahman Rraja, Ramazan Rraja i shpallur në kërkim nga policia.

Blutë bëjnë me dije se kanë ushtruar kontroll në banesën e 21-vjeçarit bazuar në informacione se ai mbante armë pa leje.  Në momentin e kontrollit ata kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri automatik me 2 krehër dhe 132 fishekë luftarak.

"Nga veprimet hetimore ky shtetas dyshohet si përkrahës i autorëve të ngjarjes së ndodhur në datën 13.11.2021, në një lokal në Zejmen, Lezhë, ku hynë të armatosur disa persona të maskuar, të cilët janë identifikuar dhe shpallur në kërkim nga Policia."

Autorët e identifikuar nga policia janë Ramazan Rraja, 28 vjeç, Alesio Dobrozi, 31 vjeç, banues në Fushë Krujë dhe Roan Brahimi, 29 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, të cilët menjëherë pas ngjarjes janë larguar jashtë vendit.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shtetasit A. L. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Armëmbajtja pa leje".

Lexo edhe: Të maskuar dhe automatik në dorë hyjnë në lokal, kamera kap momentin e tmerrit për 4 të rinjtë në Lezhë