Nga Tetova në Kurbin për "bar" kthyen lokalin në laborator kanabisi, 7 persona në pranga

Një laborator i rritjes së kanabisit me llampa Elektrike është zbuluar në Bushnesh të Kurbinit. Shtëpia e barit ishte ngritur nga një shqiptar nga Maqedonia e veriut me dy banorë vendas. Bashkë me ta në pranga përfunduan edhe 4 punonjës të OSHEE që u lejuan lidhjen e paligjshme të energjisë.

Një e ashtuquajtur “shtëpi bari”, ku kultivohej bimë narkotike me llampa elektrike termale është zbuluar në Kurbin.

Laboratori ishte ngritur në katin e parë të një banesë në fshatin Bushnesh që me herët kishte shërbyer si lokal.

Aty ishin vendosur llampa termike,  e pajisje ajrimi sikurse materiale të tjera që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike.

Kur policia mësyni këtë ambient gjeti 506 rrënjë kanabis sativa të rritura në vazo, që siç tregojnë këto pamje janë në fazën e fundit.

Po ashtu u sekuestruan edhe 58 kilogram kanabis në gjendje të tharë e gatshme për treg.

Laboratori I kanabisit ishte ngritur nga 43 vjeçari nga Tetova, Gimi Hida në bashkëpunim me Lek Allamanin, 54 vjeç, banues në Kurbin, dhe Taulant Baroka 27 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Që të tre përfunduan në pranga në kushtet e flagrancës për veprat penale  "Kultivimi të bimëve narkotike", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve " dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ".

Bashkë me ta, policia arrestoi edhe katër punonjës të OSHEE për shpërdorim të detyrës.

Xhemal Danieli, 58 vjeç, Xhevalin Kaca, 56 vjeç, Bib Gjergji, 33 vjeç, dhe Alfred Fufi, 53 vjeç, përgjegjës e faturistë, dyshohen se kanë lejuar lidhjen e paligjshme të energjisë që furnizonte Shtëpinë e rritjes së Kanabisit.

Policia e Kurbinit, ndërkohë thotë se operacioni Bushneshi, vijon për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në veprimtarinë kriminale.

Vetëm përgjatë muajit Dhjetor, policia ka zbuluar 5 laboratorë të rritjes së kanabisit me llampa elektrike duke konfirmuar se është kthyer në metodën kryesore të kultivimit të bimëve narkotike.

OPERACIONI “BUSHNESHI”

Lek Allamani, 54 vjeç

Taulant Baroka, 27 vjeç

Gimi Hida, 43 vjeç

Xhemal Danieli, 58 vjeç

Xhevalin Kaca, 56 vjeç

Bib Gjergji, 33 vjeç

Alfred Fufi, 53 vjeç