Skandali me pagat, Rama vetëofrohet të dëshmojë dhe i tregon prokurorisë kë tjetër duhet të hetojë
Kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm që të shkojë në prokurori për të dhënë versionin e tij të asaj që ka ndodhur me nxjerrjen e të dhënave të listës së pagave për mbi 630 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ku dyshon.
Rama: Me daljen e saj e kam një opinion shumë të qartë. Nëse prokuroria ka dëshirë ta dëgjojë opinionin tim jam gati t'ia them, nuk them publikisht se nuk dua të bëj politikë. E kam shumë të qartë se për çfarë mund tu duhen pagat atyre që kanë hedhur në treg databazën e patronazhistëve.
Por kryeministri dha direktiva të qarta për prokurorinë se kë tjetër duhet të thërrasë.
Rama: Çdo inspektor, janë më shumë se 100, që ka akses në sistemin e pagave për arsye të punës dhe çdo inspektor që ka pasur akses në sistem nga janari deri më sot duhet të merret në hetim pa asnjë përjashtim. Pa asnjë përjashtim duhen marrë në hetim njerëzit që bëjnë kërcënime nga foltoret e Kuvendeve apo anti-Kuvendeve apo ata që nxjerrin konkluzione duhen marrë në hetim çfarë dijenie kanë, nga i kanë marrë.
Por a është ky një sulm politik?
Rama: Politik, jo politik, kjo nuk ka asnjë vlerë tani, qytetarët që janë të sëkëlldisur dhe duhet të dinë si mund të kenë ndodhur dhe pse nuk duhet të jenë të shqetësuar për integritetin tërësor të të dhënave të tyre. Përdorimi politik i kësaj ngjarje është në sytë e të gjithëve. Unë kam edhe një ide përse nuk është përdorur publikisht deri kur kanë mbaruar zgjedhjet dhe pse po përdoret tani.Që është për të krijuar konfuzion dhe nxitur armiqësi mes njerëzve dhe nesh, kjo është shumë e qartë. Por t’ju bësh këtë njerëzve për të nxjerrë brazën nga çelësi, çelësin nga brava apo që je bërë xheloz që ke mbetur jashtë bravës dhe çelësin dhe hedh gurin që të mos merret njeri me bravën dhe çelësit është një mundësi për t’u treguar njerëzve deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë dhe çelësaxhinjtë. Ne na duhet të sqarojmë opinionin se nuk bëhet fjalë infiltrimin në sistemin tërësor.

