Çollaku tregon ku gaboi Berisha: Protesta kundër Vuçiç filloi me thirrje kundër Bashës

 

Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, mbështet protestën e ish-kryeministri Sali Berisha kundër Open Balkan por konstaton se në të pati probleme të cilat sipas tij çuan edhe në atë pjesëmarrje të kufizuar.

Për Rtv Ora, Çollaku vlerëson se do të duhej një organizim dhe kordinim më i mirë edhe me Kosovën dikundër do të duhet që Berisha të linte mënjanë problemet me Lulzim Bashën kur flitet për çështje kombëtare.

"Mbështes çdo lëvizje qoftë në parlament, qoftë protesta, analiza, kundër minishengenit. Por mendoj se një aktivitet i tillë u dëmtua nga një keqintrpretim, pa dashje apo me dashje, se do të përdorej për të krijuar probleme në selinë e PD. Do të doja të ishte shumë më masiv se çishte manifestimi, do të doja të ishte i kordinuar jo vetëm me PD, opozitarët por edhe me Kosovën, me institucionet dhe opinionin atje. Së dyti keqpërdorimi ishte se një protestë që thirret për të protestuar kundër Vuçiç dhe kundër Serbisë në Tiranë, që është për tu përshëndetur, nuk mund të fillojë duke protestuar nga fanatikët kundër kryetarit të partisë Basha.

Protesta nisi e tillë, me grupe minore por ndodhi dhe ishte e pakëndshme. Një motiv i tillë duhet të kishte thirrur në shesh gjysmën e shqiptarëve dhe nuk ndodhi kështu. Mbajnë përgjegjësi organizatorët, duhen ndarë motivet. Inatet me Lulzim Bashën duhet të rrinë mënjanë kur bëhet fjalë për çështje të tilla kombëtare. Sepse ndodh që një protestë e thirrur kundër Vuçiç fillon me thirrje kundër Bashës dhe përfundon atje në bulevard që e pamë sa ishte".

Çollaku thotë se "Open Balkan është një doktrinë e qartë e shkollës, e Akademisë serbe. Është një strategji e suksesshme deri diku e Beogradit për tu kthyer me atë rol hegjemonik në Ballkan. Është një lloj Jugosllavie e re plus Shqipërinë".

Sipas tij, Sorosi shërbeu si një lloj katalizatori për ta shpejtuar këtë proces.

Por nga ana tjetër ai nënvizon se nuk duhet harruar që kjo nismë mbështetjen më të madhe e mori në Uashington.

Çollaku tregon ku gaboi Berisha: Protesta kundër Vuçiç

"Nuk duhet të harroni se ky projekt, minishengeni ballkanik, statusin më të lartë dhe suksesin më të lartë e mori në marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë. Negociatori, kujdestari i asaj marrëveshje ishte Grenell, administrata Trump. Një projekt i Soros arriti të infiltrohej dhe akomodohej edhe te kundërsharët në SHBA, siç ishte Trump. Pra, po Open Balkan, minishengeni ka dorën e Soros si katalizator por po ashtu u mbështet, u përkëdhel dhe u sponsorizua fort dhe nga Grenell".

Deputeti i PD-së thotë se në unison ka një refuzim të nismës nga kancelaritë e huaja, duke kërkuar gjithëpërfshirje.

"Formula me të cilën e refuzojnë të gjithë kancelaritë diplomatike është kjo: Ok, ne nuk kemi kundërshtim me nisma të tilla me kushtin që të jetë gjithëpërfshirëse. Rama në të kundërt vijon kokëfortë në një projekt totalisht absurd për interesat shqiptare, absurd dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Është e dukshme që nuk është interes i Shqipërisë, mbetet për tu parë nëse është interes personal i Ramës".