Berisha paralajmëron: Do shihni opozitën më të fortë që në '91-shin, herë tjetër program protestash

Ka zgjatur përreth 90 minuta protesta e parë kombëtare e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në mbyllje të saj, ai u shpreh entuziast për pjesëmarrjen në tubimin e thirrur në vetëm 48 orë ndërsa paralajmëroi opozitë të fortë dhe kalendar protestash.

Berisha: Një opozitë më të fortë që ka parë vendi që nga 1991. Në rast se Shqipëria është rrokullisur në këtë mënyrë përgjegjësi pa asnjë diskutim ka dhe udhëheqja e shkuar e opozitës, e cila në asnjë rrethanë nuk dha shembullin dhe nuk priu për të ngallur shpresën dhe besimin te qytetarët shqiptarët. Kjo kohë merr fund. Ju e patë. Një protestë e thirrur në 48 orë. Herë tjetër do të ketë program protestash.Asgjë nuk do të na pengojë pa bërë transparencë të plotë për të gjitha lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës me krimin, korrupsionin dhe vjedhjen. Ballkani i Hapur është Ballkani i Hapur për krimin, oligarkët.

Se cili do do të jetë drejtimi i PD, Berisha tha se e përcaktojnë anëtarët e saj.

Berisha: E sigurt është se sot PD e rithemeluar në vlerat e saj është shumicë e jashtëzakonshme, grupacioni më i lirë i kësaj toke që e përkul dot dhe nuk e mposht dot asgjë, është një revolucion i pandalshëm.

Berisha mohoi edhe njëherë që lëvizja e tij politike të lidhet me shpalljen non grata.

Berisha: Ngjarje të caktuara nxisin zhvillime të mëdha.Ndonjëherë të duket se janë të lidhura por në lidhjen shkak-pasojë nuk ka asgjë midis tyre. Nuk them që ajo që thoni ju nuk ka patur një rol por kurrë kjo masë njerëzish, këto transformime të jashtëzakonshme dy mujore të vendit nuk mund tëe jenë të lidhura me një problem që unë e kam quajtur personal. Nuk është halli i Sali Berishës por hallet e injoruara në mënyrë të tmerrshme të qytetarëve shqiptarë nga njeriu që përfundoi në metamorfozën më të shpifur, atë të bravës.

I pyetur se pse nuk ndante këtë opinion që ka sot për Lulzim Bashën pak javë më parë, ai tha.

Berisha: Kur njeriu shpalos veten do të ishte fatale të mos e lexosh. Lul Brava shpalosi veten.