Monedhat dixhitale së shpejti në Shqipëri, Denis Kele: Nxjerrin jashtë loje sistemin e sotëm financiar

Bota e financës po përjeton një ndryshim teknologjik, investimi në kapitalin virtual po cilësohet si çmenduria më e madhe në fushën e investimeve. 

Po flasim për kriptomonedhat ose e thënë ndryshe monedhat dixhitale. Të ftuarit sot në studion e “Jeto me Orën” treguan sesi funksionon ky investim virtual. E ftuara Denisa Kele me profesion ekonomiste tregoi se nuk ja sugjeron askujt që të hyj në këtë treg virtual pa u mirë informuar. Ndërsa Kadri Manaj me profesion  programues, tregoi se ai është njohur me monedhat dixhitale që nga viti 2014 dhe se duhet një studim shumë i mirë për kriptomonedhën.

“Duhet të studiuar shumë mirë para se të investosh pasi mund të humbasësh shumë” u shpreh Manaj.

Kurse Albi Senja me profesion video-editor tregoi se edhe ai ka treguar shumë kujdes me tregun e kriptomonedhës para se të bëhej pjesë dhe të investonte.

“Marrja e informacionit duhet të jetë shumë e kujdesshme pasi ka njerëz që informojnë gabim dhe ka pasoja të mëdha në investimin që bëjn” u shpreh Albi Senja.

Denisa tregoi se në rrjetet sociale ka informacione të gabuara që tregojnë për publikun se fitimi është i sigurt por kjo është tepër e gabuar. Ndërsa Kadriu tregoi se në shumë vende në botë disa njerëz e kanë kthyer në punë duke përfituar shumë nga kjo lloj teknologjie.

“13 muajt e fundit bitcoin ka pasur rritjen më të madhe, dhe le të themi që edhe unë kam investuar paksa” u shpreh Kadri Manaj.

Denisa tregoi se duhet të jesh gjithë kohën në alert.

“Duhet të  shohësh kur monedhat rriten dhe të veprosh pra duhet të jesh tepër i informuar madje duhet të shikosh lajmet në disa burime” u shpreh Denisa Kele.

Disa nga këshillat që të ftuarit dhanë ishin informimi i sigurt për kriptovalutat dhe të shohin me kujdes zgjedhjet që bëjnë.

“Nuk duhet të investojnë shuma të mëdha, duhet të kenë kursime para se të investojnë sepse tregu është i paqëndrueshëm. Dhe kujdes shumë nga videot e rrjeteve sociale” u shpreh Kadri Manaj.

Sa për ligjin e miratuar në vendin tonë Denisa Kele bëri një thirrje.

“Kujdes pasi ligji nuk është shumë i qartë se çfarë lejohet dhe çfarë jo. Më tepër flitet për kompanitë dhe duket shumë e paqartë për të gjithë ata njerëz që duan të dinë më tepër” përfundoi Denisa Kele.